Grupet e shpëtimit në Stamboll e Athinë kanë pastruar sot rrugët e bllokuara nga një stuhi e rëndë dëbore që goditi dje shumicën e Turqisë e Greqisë duke lënë qindra njerëz e automjete të bllokuara gjatë natës në temperatura ngrirjeje.
Rrugët dhe autostradat rreth Stambollit u bllokuan dje nga rreth 80 centimetra dëborë duke izoluar shoferë e pasagjerë.
Disa kaluan natën në automejtet e tyre dhe disa të tjerë i braktisën ato për të ecur drejt banesave.
Ministri turk i infrastrukturës Adil Karaismailoglu tha sot se situata është rikthyer në normalitet ndërsa guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya tha se kufizimet e udhëtimit ishin hequr.
Sot u pastrua dhe pista e aeroportit kryesor të Stambollit duke lejuar rinisjen e një numri të kufizuar fluturimesh.
Qindra pasagjerë të bllokuar dje në Istanbul Airport thërrisnin “Duam hotel” duke protestuar për gjendjen e tyre, shkruante e përditshmja vendase Cumhuriyet.
Në Athinë grupet e shpëtimit liruan 200 deri në 300 shoferë të bllokuar në autostradën kryesore që lidh Athinën me aeroportin kryesor të kryeqytetit.
Rrugët e Athinës mbeten të mbyllura prej degëve të thyera të pemëve nga pesha e dëborës. Disa zona në veri të kryeqytetit vuanin mungesë të energjisë elektrike.
Qendra meteorologjike e Stambollit, AKOM, tha se një sistem presioni të ulët islandik kishte përfshirë shumicën e vendit me të ftohtë dhe reshje.
Vendet e Ballkanit gjithashtu ishin përfshirë nga moti ngrirës me temperatura nën zero në Serbi, Mali i Zi, Bosnie e Kroaci.
Mali i Zi regjistroi dje temperaturën më të ulët ndonjëherë në fshatin verior Kosanica, me minus 33.2 C. Më parë tempeatura më e ulët ishte regjistruar në vitin 1985 në minus 32 C në qytezën veriore të Rozaje.
Top Channel