Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të martë ka shprehur dy propozime gjatë një takimi me të rinjtë e FRPD-së në Tiranë, duke theksuar se pushteti nuk mund të ekzistojë më shumë se dy mandate dhe kush prek votën e lirë të qytetarëve shqiptarë të dënohet me 22 vite burg.
“Themeli janë zgjedhjet është vota. Pushteti korrupton. SHBA thotë jo më shumë se dy mandate dhe këtë kam propozuar edhe unë”, tha ai.
Nisur nga kjo, kryedemokrati theksoi se për këtë arsye ka propozuar që sanksionet për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri të bëhen aq të forta sa në Itali. Basha tregoi se në rast se një politikan kapet duke blerë vota atje, ai dënohet deri në 21 ose 22 vite burg.
Ai tha se Italia e ushtron një dënim kaq të rëndë për këta politikanë, pasi këta të fundit, sipas tij vrasin shpresën e qytetarëve.
“Një politikë që kap pushtetin me mjete të tilla nuk ka fytyrë njerëzore, sado bukur të aktrojë, recitojë apo të ngërdheshet. Shqipërisë i duhet një politikë me fytyrë njerëzore, kjo është arsyeja pse i duhet rinia. Kjo është një përplasje brezash dhe kulturash. Rinia nuk di të linçojë, ka një tjetër kulturë. Nuk ka zemërim më të bukur se ai i rinisë, është ai që do ta ndryshojë Shqipërinë”, tha Basha.
Ai mendon se një politikë me fytyrë njerëzore mund të garantohet veçse nga vota e lirë.
Kryedemokrati, në fjalën e tij, nënvizoi se një pjesë e madhe e të rinjve ndodhen në emigracion dhe e njëjta rrugët duket se do të vazhdojë përsëri, nëse Shqipëria nuk ndryshon.
“Me premtime të pambajtura prej 31 vitesh me politikanë që u plakën dhe duan të vdesin në karriget e pushtetit, duke filluar nga ky që ka 6 vjet që thotë do ta lë politikën dhe çdo vit shpik truke dhe bën krime elektorale për të gllabëruar çdo pushtet”, tha Basha.
Ai u shpreh se vetëm vendosja e rregullave do mundësojë kalimin nga fjalët tek veprat, duke shtuar më tej se për këtë demokratët e kanë një plan.
“Nëse disa prej tyre do ishte bërë realitet nuk do ishte bërë masakra zgjedhore. E kërkojnë për të gjithë vetëm për veten e tyre nuk e pranojnë. Sot në politikë janë shumë ata që nuk përfaqësojnë interesat e njerëzve, që nuk justifikojnë pasurinë dhe që kanë ardhur si vullnet i interesave të botës së nëndheshme. Dy mandate për kryeministrin, dhe pas kësaj të ketë një qarkullim”, tha Basha.
Top Channel