Joseph Ratzinger të hënën pranoi se kishte dhënë informacion të rremë për katër raste të abuzimit seksual të të miturve që ndodhen në vitet 1977 dhe 1982, kur ai ishte kryepeshkop i Mynihut dhe Freisingut.
Ratzinger tha se ndryshe nga sa kishte deklaruar më parë, ai kishte marrë pjesë në mbledhjen e 15 janarit 1980, ku u vendos që të transferohej një prift, i cili ishte akuzuar për abuzim seksual të të miturve në dioqezën e tij. Ai ishte shprehur më herët se nuk kishte informacion në lidhje me akuzat ndaj priftit.
Ratzinger tha se në atë mbledhje u vendos që t’i jepet strehim priftit në fjalë, Peter Hullermann, gjatë kohës së trajtimit të tij terapeutik, që u zhvillua në Mynih, por nuk u mor asnjë vendim për ricaktimin e tij në “veprimtari baritore”.
Në vitin 1986 Hullermann u dënua për pedofili, por vazhdoi të punonte në famulli, pasi u lirua nga burgu.
Ratzinger tha se deklarata e gabuar ishte “rezultat i një mbikëqyrjeje në hartimin e deklaratës së tij”
Një raport i një komisioni të pavarur gjerman zbuloi se ish-Papa Benedikti i XVI ishte i përfshirë në fshehjen e rasteve të abuzimit të fëmijëve kur ishte kryepeshkop i Mynihut nga viti 1977 deri në vitin 1982.
Papa Benedikti, i quajtur atëkohë Josef Ratzinger, nga komisioni, i cili u formua nga kompania ligjore gjermane “Westpfahl Spilker Wastl”, u akuzua për sjellje të pahijshme në të paktën katër raste të abuzimit të fëmijëve.
Pas një hetimi pothuajse 2-vjeçar mbi trajtimin e pretendimeve të abuzimit seksual nga Kisha Katolike Gjermane, komisioni njoftoi zbulimet e tij në një konferencë për media në Mynih.
Ish-papa iu përgjigj pyetjeve të komisionit dhe mohoi çdo keqbërje.
Një raport i mëparshëm i porositur nga Kisha Katolike Gjermane zbuloi se nga viti 1946 deri në vitin 2014 rreth 1.670 klerikë kanë kryer sulm seksual kundër 3.677 të miturve, kryesisht djem.
Në Romë, zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, tha se Selia e Shenjtë do t’i kushtonte “vëmendjen e duhur” raportit gjerman, “përmbajtjen e të cilit për momentin nuk e di”.
Duke theksuar se do të studiohet në detaje në ditët në vijim, Bruni tha se Selia e Shenjtë përsëriti “ndjenjën e saj të turpit dhe pendimit”.
Kisha Katolike tashmë prej dekadash është tronditur nga skandalet lidhur me abuzimin e të miturve nga priftërinjtë dhe fshehjen sistematike të këtyre krimeve. Papa Françesku, ashtu si paraardhësi i tij Benedikti XVI, ka premtuar zero tolerancë për këtë çështje.
Top Channel