Të paktën 19 njerëz janë vrarë kur një klub nate është djegur nga zjarri që shpërtheu gjatë një sherri masiv në Indonezi.
Banda rivale të rinjsh nisën të sulmonin njëri-tjetrin me thika, shigjeta dhe koktejle molotov në një klub karaoke në Sorong, në provincën perëndimore Papua.
Një prej viktimave u qëllua për vdekje me thikë në orët e para të mëngjesit para nisjes së zjarrit, i cili më pas bllokoi brenda 18 njerëz.
“Përleshjet mes të rinjve në qytete janë normale, por në këtë rast u shkaktuan shumë vdekje, është hera e parë që ndodh kështu”, tha zëdhënsi i policisë Adam Erëini për rrjetin Metro TV.
Detektivët po hetojnë nëse zjarri nisi aksidentalisht apo ishte i qëllimshëm.
Pamjet nga vendngjarja tregonin pasoja të rënda të zjarrit që kishte përfshirë diskotekën.
Kreu i policisë së Sorong, Ary Nyoto Setiawan tha se përleshja e tmerrshme mes bandave kishte nisur ‘vetëm për një keqkuptim’.
“Ne u telefonuam atyre dhe u përpoqëm të ndërmjetësonim, por përleshja kishte vijuar deri në orët e para të mëngjesit”, shtoi ai.
Policia që erdhi në vendngjarje evakuoi të gjithë të pranishmit por më vonë zjarrfikësit gjetën trupat e pajetë në dhomat brenda klubit të natës, raportonin mediat vendase.
Top Channel