Vrasja për hakmarrje në Lezhë, gazetarja Anila Hoxha: Fëmija është shtyrë me të dyja duart për tu bërë vrasës

24/01/2022 22:45

“Është fëmijë i shtyrë me të dyja duart për tu bërë vrasës”, kështu e cilësoi Anila Hoxha ngjarjen e rëndë që ndodhi mesditën e sotme në fshatin Manati të Lezhës. Një 17-vjeçar i identifikuar si F.P., ka qëlluar me armë 65-vjeçarin Lekë Lekgjonaj duke e lënë të vdekur në vend.

Në emisionin “Open”, tha: “Floriani është fëmijë i shtyrë me të dyja duart për tu bërë vrasës. I shtyrë nga shoqëria, të mos harrojmë, ka jetuar në një kontekst social në një zonë ku askush, në njëfarë mënyre të përbuzin . 

Ligji thotë që vrau për gjakmarrje. I njëjti ligj që edhe pse është ashpërsuar nxjerr vrasësit nga burgu, në mënyrë të përshpejtuar del shumë shpejt nga qelia dhe ky fëmijë shtyhet me të dyja duart. Floriani nuk ka mbushur ende moshën për mbajtjen e përgjegjësisë penale.”

Lekgjonaj humbi jetën menjëherë, ku disa plumba e kishin prekur në pjesë të ndryshme të trupit. Pas aktit 17 vjeçari është vetëdorëzuar në komisarioat së bashku me armën me të cilën kreu edhe krimin. Menjëherë policia ka kryer dhe kontroll banese në shtëpinë e autorit, ku u gjet dhe një tjetër armë, tip pushke artizanale.

Pikënisja e konflikteve mes dy familjeve është viti 2009 për shkaqe pronësie ku vëllai i Lekës, Ndue Lekgjonaj ka vrarë babain e autorit të ngjarjes. Gjon Pervathi mbeti viktimë e një atentati me kallashnikov 13 vite më parë. Ai ishte duke lëvizur ne rrugën e vjetër qe te dërgon ne Milot së bashku me djalin e tij Danielin dhe kushëririn Gjergjin, ku dhe kta te fundit kane mbetur te plagosur.

Pak ditë pas krimit, Ndue Lekgjonaj u dorëzua në polici, ku pranoi dhe autorësinë e krimit. Konfliktet mes dy familjeve vazhduan, ku historia u përsërit sërish ditën e sotme. Burime te afërta pranë familjes bëjnë me dije se për familjen e Lek Lekgjonajt ishte falur gjaku dhe nuk kishin frikë për ndonjë hakmarrje te mundshme.

Top Channel