Kombëtarja italiane do të bëjë një grumbullim 3-ditor në periudhën 26-28 janar, në mënyrë që trajneri Roberto Mancini të mund të verifikojë gjendjen e futbollistëve, në prag të Play Off-it vendimtar të botërorit, i planifikuar për në muajin mars.
Në këtë grumbullim pritet të mungojnë emra si Bonucci, Acerbi, Emerson, Pellegrini, Belotti e Chiesa, të cilët janë të dëmtuar, ndërsa trajneri Mancini pritet të thërrasë disa emra të rinj, për të plotësuar grupin me të cilin do të përfaqësohet në Play Off.
Kështu risi do të jetë rikthimi në përfaqësuesen e Italisë, i sulmuesit Mario Balotelli, që vitet e fundit ka pasur një rënie të ndjeshme të karrierës dhe është bërë më së shumti protagonist për bëmat jashtë fushave.
Megjithatë 31-vjeçari ka gjetur stabilitet në klubin turk të Adana Demirspor dhe njeriu që e ka lancuar në futbollin profesionist, Roberto Mancini ka vendosur t’i japë një tjetër shans, në një moment mjaft të rëndësishëm për Italinë.
Krahas Balotellit, pritet të marrë ftesë edhe Manolo Gabbiadini, i cili për herë të fundit te Italia, është grumbulluar pikërisht në play off-in ndaj Suedisë në vjeshtën e 2017-ës, kur “të kaltrit” u eliminuan dhe humbën të drejtën e konkurrimit në Rusi 2018.
Nuk do të mungojnë as lojtarët e natyralizuar, teksa pritet t’i bashkohen Italisë emra si Joao Pedro i Cagliarit dhe Luis Felipe i Lazios, dy brazilianë, që duket se kanë zgjedhur të përfaqësojnë pikërisht “të kaltrit” në arenën ndërkombëtare.
Risi do të jetë edhe mesfushori që po spikat me Sassuolon, Davide Frattesi, i cili do të ketë tre ditë kohë për të bindur Mancinin, t’i dërgojë një ftesë edhe për Play Off-in e muajit mars, që do të shohë “të kaltrit” të sfidojnë Maqedoninë e veriut në gjysmëfinale dhe në rast kualifikimi, do të përballen me fituesen e çiftit Portugali-Turqi.
Megjithatë surpriza e vërtetë e listës janë dy lojtarë të Cremoneses në Serinë B, portieri Carnesecchi dhe mesfushori Nicolo Fagioli.
Lista e plotë:
Portierë: Marco Carnesecchi (Cremonese), Alessio Cragno (Cagliari), Alex Meret (Napoli), Salvatore Sirigu (Genoa).
Mbrojtës: Alessandro Bastoni (Inter), Cristiano Biraghi (Fiorentina), Davide Calabria (Milan), Giorgio Chiellini (Juventus), Mattia De Sciglio (Juventus), Giovanni Di Lorenzo (Napoli), Alessandro Florenzi (Milan), Luiz Felipe (Lazio), Gianluca Mancini (Roma), Luca Pellegrini (Juventus), Giorgio Scalvini (Atalanta), Rafael Toloi (Atalanta).
Mesfushorë: Nicolò Barella (Inter), Bryan Cristante (Roma), Nicolò Fagioli (Cremonese), Davide Frattesi (Sassuolo), Manuel Locatelli (Juventus), Matteo Pessina (Atalanta), Samuele Ricci (Empoli), Stefano Sensi (Inter), Sandro Tonali (Milan).
Sulmues: Mario Balotelli (Adana Demirspor), Domenico Berardi (Sassuolo), Federico Bernardeschi (Juventus), Ciro Immobile (Lazio), Lorenzo Insigne (Napoli), Joao Pedro (Cagliari), Giacomo Raspadori (Sassuolo), Gianluca Scamacca (Sassuolo), Mattia Zaccagni (Lazio), Nicolò Zaniolo (Roma).
Top Channel