Policia belge përdori gaz lotsjellës e pompat e ujit për të zmbrapsur protestuesit kundër vaksinimit të detyruar dhe masave të tjera kufizuese që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Protesta tërhoqi dhjetëra mijëra njerëz, disa prej të cilëve kishin ardhur nga Franca, Gjermania dhe vende të tjera. Demonstruesit, që sipas autoriteteve mund të mbërrinin në 50 mijë, marshuan nëpër Bruksel përpara se të mblidheshin në parkun Cinquantenaire në lagjen europiane të qytetit, për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj politikave të qeverisë lidhur me pandeminë.
Pre e sulmeve të tyre ranë edhe vetë zyrat e Bashkimit Europian. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borell, postoi një foto ku shiheshin dëmtimet që ka pësuar zyra e tij. Demonstruesit brohorisnin “Liri!” teksa marshonin kundër bllokimeve. Pamjet filmike tregonin tubues të veshur me të zeza duke sulmuar e thyer me sende të forta xhamat e një ndërtesë të përdorur nga shërbimi diplomatik i BE-së.
Protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në Barcelonë e qytete të tjera europiane. Mijëra njerëz kanë kundërshtuar përmes daljes në rrugë të ashtuquajturat pasaporta të vaksinës dhe rregulla të tjera të vendosura nga qeveritë europiane në përpjekjet për t’i dhënë fund makthit që vazhdon prej dy vjetësh.
Top Channel