Pikërisht në kohën kur vëmendja e botës është mbërthyer tek situata e tensionuar në Ukrainë, rishfaqet kërcënimi kinez për Tajvanin, i cili këto kohë kishte rënë në qetësi.
Tridhjetë e nëntë avionë luftarakë të Kinës fluturuan drejt ishullit të dielën. Mes tyre kishte edhe bombardues të tipit J-16 dhe J-10, tha Ministria tajvaneze e Mbrojtjes. Forcat ajrore të Tajvanit pohuan se ngritën në qiell avionët e tyre për të gjurmuar avionët kinezë. Avionët e Kinës po ashtu u detektuan edhe në radarë.
Dërgimi i avionëve kinezë drejt Tajvanit vjen pasi ushtria amerikane tha se dy grupe të saja të luftanijeve po lundronin në Detin e Kinës Jugore. SHBA-ja tha se luftanijet USS Carl Vinson dhe USS Abraham Lincoln u angazhuan në operacione për sulme nga nëndetëset dhe ato ajrore si dhe ishin në gatishmëri.
Ky është numri më i madh i avionëve që Kina ka nisur gjatë këtij viti drejt Tajvanit. Tajvani dhe Kina kishin zhvilluar një luftë civile më 1949 dhe Kina pretendon se ky ishull është territor i saj. Pekini ka përdorur rrugë diplomatike dhe ushtarake për ta izoluar ishullin dhe frikësuar autoritetet e këtij ishulli, por SHBA-ja ka vazhduar ta mbështesë Tajvanin, duke i shitur armë të avancuara dhe avionë luftarakë.
Top Channel