Goli duhej anuluar, na duhen fitore për të rritur vetëbesimin

24/01/2022 22:20

Dinamo bie në derbi ndaj Tiranës, pasi një gol i Xhixhës u jep tre pikët bardhebluve, ndërsa trajneri Shkëmbi pranon vështirësitë në sulm për shkak të dëmtimeve dhe shpreh rezerva për arbitrimin, pasi pretendon për një faull në nisje të aksionit të golit.

“Më vjen keq për këtë humbje, sidomos për lojtarët, që u munduan të bëjnë mirë dhe dhanë maksimumin. Ishte një ndeshje e barabartë dhe sigurisht të vjen keq kur e humb për një episod. Megjithatë e dija që do të vuanim disi, pasi ndeshjet janë shumë afër dhe tani duhet të mendojmë cilin mund të rikuperojmë për takimet e radhës.

Në repartin e sulmit kemi probleme, pasi Reginaldo sapo ka ardhur dhe nuk ka gjendjen e duhur fizike, ndërsa Chinedu është i sëmurë dhe nuk mund të luajë ende. Jemi munduar të përshtatemi me lojtarë që nuk janë qendërsulmues tipikë, por mendoj se me kalimin e ditëve, do të bëjmë më mirë, pasi skuadra po rritet.

Në rastin e golit të Tiranës, Xhixha bën faull ndaj Sofranac. Jam i bindur dhe këtë e them tani që po e rishikoj aksionin. Xhixha nuk sheh fare topin dhe shkon përplas mbrojtësin tonë, gjë që në futboll quhet faull. VAR-i e ka parë dhe nuk ka dashur ta japë, por ky ishte faull.

Nuk dua t’i heq asnjë meritë kundërshtarit dhe madje i di edhe problemet e Dinamos, por ky është një rast i pastër faulli, ndaj goli duhej anuluar. Ndoshta VAR-i dhe arbitrat mund të kenë gabuar edhe në raste të tjera, por në këtë rast që po shohim, është faull. E pashë në moment, pasi ndodhi para këmbëve të mia. Nuk dua të justifikoj as veten dhe as ekipin, pasi nuk humbëm nga gjykimi.

Bardhi nuk po vertikalizonte më dhe po qëndronte shumë mbrapa, ndaj menduam ta zëvendësojmë. Ndoshta mund të kishim bërë mirë ta linim pak më shumë, por në ato momente pamë të arsyeshme ta zëvendësonim, për të shkundur disi linjën e djathtë.

Në një skuadër nuk duhet të shënojnë vetëm sulmuesit, ashtu si nuk mund të mbrojnë vetëm mbrojtësit. Kemi punuar dhe vazhdojmë punojmë në këtë aspekt, por ajo që shoh, është që kemi nevojë për disa rezultate pozitive radhazi, në mënyrë që të kalojmë ngërçin psikologjik dhe të rritim dozën e besimit. ”, tha ndër të tjera Blendi Shkëmbi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA