“Do shpërthejë lufta”, Danimarka nis bombarduesit në Ukrainë, Anglia tërheq diplomatët

24/01/2022 15:27

Mbretëria e Bashkuar ka filluar të tërheqë stafin nga ambasada e saj në Ukrainë mes paralajmërimeve për një pushtim rus, çka bën të mendohet se rreziku i shpërthimit të një lufte është gjithmonë e më real.

Zyrtarët britanikë pretendojnë se nuk ka pasur kërcënime specifike për diplomatët, e megjithatë rreth gjysma e stafit që punon në Kiev do të kthehet në Londër. Shtetet e Bashkuara urdhëruan gjithashtu të afërmit e stafit të ambasadës së saj të largohen, duke thënë se një pushtim mund të vijë “në çdo kohë”.

Lëvizja e Washingtonit u pa me skepticizëm në Kiev. Ukraina tha se ishte “e parakohshme” që SHBA të tërhiqte stafin dhe e cilësoi “një shfaqje kujdesi të tepruar”.

Rusia i ka mohuar planet për aksion ushtarak, por dhjetëra mijëra trupa janë grumbulluar në kufi.Vendet anëtare të aleancës së NATO-s, duke përfshirë Danimarkën, Spanjën, Bullgarinë dhe Holandën, janë duke dërguar avionë bombardues dhe luftanije në Europën Lindore për të forcuar mbrojtjen në rajon.

Me rreth 100,000 trupa ruse tani në kufirin me Ukrainën, kreu i NATO-s ka paralajmëruar se rreziku i një konflikti të ri në kontinentin e vjetër, është gjithmonë e më i madh. Të shtunën, Shtetet e Bashkuara dërguan në Ukrainë rreth 90 tone ndihme “vdekjeprurëse”, siç e quajtën ato, e cila përfshinte dhe sasi të mëdha municionesh për mbrojtësit e vijës së parë të frontit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA