Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, informoi Presidentin Joe Biden mbi opsionet e SHBA për t’iu përgjigjur një pushtimi rus në Ukrainë, e ato përfshijnë edhe dërgimin e trupave amerikane në zonë.
Teksa Biden po i mendon këto mundësi, Departamenti i Shtetit urdhëroi familjarët e punonjësve të ambasadës së SHBA-së në Kiev të largoheshin të dielën dhe autorizoi dhe punonjësit diplomatikë jo urgjentë në Ukrainë të bënin të njëjtën gjë. DASH po kështu paralajmëroi amerikanët që të mos udhëtojnë drejt Ukrainës apo Rusisë, duke përmendur mundësinë e veprimit ushtarak rus, si dhe “potencialin për ngacmimin e të huajve në Rusi”, tha një zëdhënës i tij.
Ndër opsionet e paraqitura për ushtrinë amerikane përpara një pushtimi ishin fluturimet e avionëve bombardues mbi rajon, dërgimi i anijeve në Detin e Zi dhe zhvendosja e trupave dhe pajisjeve ushtarake nga disa pjesë të Europës në Poloni, Rumani dhe vende të tjera fqinje me Ukrainën.
Austin paraqiti mundësi për të siguruar aleatët e NATO-s dhe për të përforcuar mbrojtjen e tyre, veçanërisht mbrojtjen e shteteve kufitare me Ukrainën e rrezikuar gjithmonë e më shumë prej konfliktit.
Qëllimi është të tregohet unitet dhe forcë mes NATO-s dhe të pengohet agresioni rus kundër aleatëve në rajon, sqaruan zyrtarë amerikanë. Presidentit Biden iu paraqitën dhe dëshmi të shërbimeve amerikane të inteligjencës, të cilat tregonin se ushtria ruse po e vazhdon grumbullimin e trupave pranë Ukrainës.
Top Channel