Njoftimi i Ministrisë së Financave dhe Kujdesit Social të Malit të Zi se grupi amerikan Bechtel do të ndërtojë pjesën malazeze të autostradës Adriatiko-Joniane, është pritur me shqetësim mes vëzhguesve të çështjeve të transparencës.

Kontradiktat kane rrethuar edhe projekte të tjera të Bechtel-it në Ballkan, thotë BIRN, e për këtë arsye grupet malazeze të shoqërisë civile druhen se  vendi rrezikon të goditet sërish, pas marrëveshjes tejet të kushtueshme me Kinën në 2014-tën për ndërtimin e një autostrade drejt bregut nga Serbia, e cila nuk ka dalje në det.

Duket se shqetësime të tilla kanë hedhur rrënje edhe brenda vetë kabinetit qeveritar. Teksa ministri i financave Milojko Spajiç njoftoi se Bechtel dhe qeveria do të nënshkruanin një memorandum mirëkuptimi tani shpejt, kolegu i tij për investime kapitale, Mladen Bojaniç, u ankua se askush nuk ishte konsultuar për të mbi këtë çështje, dhe theksoi nevojën për transparencë.

Projekti më Kinën për ndërtimin e autostradës në vlerë prej 1 miliard dollarësh në Mal të Zi u vendos pak muaj më parë në qendër të një debati të gjerë mbi ndikimin kinez në Europë. Podgorica pati njoftuar se nuk do të ishte në gjendje të paguante borxhin ndaj Bankës Export-Import të Kinës. Përveç çështjes së borxhit, ky projekt u kritikua edhe për koston tejet të lartë që kishte.

Në fund, Mali i Zi u detyrua të merrte hua  nga një sërë institucionesh amerikane dhe europiane për të ndihmuar në stabilizimin e financave të saj dhe për të përmbushur pagesat e borxhit.

Top Channel