Agjencia kundër Korrupsionit në Kosovë ka nisur procedurat hetimore kundër zyrtarëve të Listës Serbe, parti udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Arsyeja e fillimit të procedurës është se zyrtarët e Listës Serbe, të cilët mbajnë pozita të ndryshme në nivel qendror dhe lokal në institucionet e Kosovës, nuk i kanë raportuar rregullisht pasuritë apo të ardhurat e tyre, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë, më 24 janar, nga Agjencia kundër Korrupsionit.

Procedura është iniciuar kundër kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Sllavko Simiq, shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, deputetëve Zoran Mojsilloviq dhe Verica Ceraniq, ish-deputetit Ivan Todosijeviq, kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq dhe këshilltarit në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Alleksandar Spiriq.

Po ashtu, Agjencia kundër Korrupsionit e Kosovës ka iniciuar hetim kundër Zllatko Miniqit, Miodrag Ralliqit, Verolub Stankoviqit, Millorad Jovanoviqit, Millan Ivanoviqit dhe Sërgjan Nikolliqit.

Nga Agjencia thonë se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me mbledhjen dhe analizimin e dokumentacionit përkatës.

Për rastin e Lubinko Karaxhiqit, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetar i Komunës së Graçanicës, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka pezulluar hetimet.

Në sistemin serb, Karaxhiq ishte kryetar i Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Prishtinës, institucion ky që nga autoritetet e Kosovës konsiderohet jolegal dhe paralel.

Në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Agjencisë.

Nikolliq është edhe koordinator i organit të përkohshëm komunal të Shtërpcës, sipas sistemit serb. Ai është arrestuar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, për shkak të dhënies së paligjshme të lejeve të ndërtimit në Brezovicë, pas së cilës i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj.

Radio Evropa e Lirë, në gusht të vitit të kaluar ka raportuar për “pagat e dyfishta”, sepse shumica e zyrtarëve të Listës Serbe kanë të paktën një vend pune në sistemin kosovar dhe një në atë serb.

Kjo parti është themeluar në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ndonëse zyrtarët e Listës Serbe obligohen me ligj që të raportojnë të gjitha të ardhurat në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës, por edhe në agjencinë e ngjashme në Serbi, ata e bëjnë këtë në mënyrë selektive.
Çfarë funksionesh të dyfishta kryejnë zyrtarët e Listës Serbe?

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nuk ka raportuar në Agjencinë kundër Korrupsionit në Kosovë se në kuadër të sistemit të Serbisë i kryen edhe dy funksione të tjera.

Ai është drejtor i Ndërmarrjes Publike “Standard” në Mitrovicën e Veriut dhe asistent për mësimdhënie në Shkollën e lartë ekonomike të studimeve profesionale në Pejë, e cila funksionon në kuadër të sistemit serb dhe është zhvendosur në Leposaviq, komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Për këto dy pozita, Rakiq paguhet me rreth 92.000 dinarë, ose rreth 750 euro.

Rakiq nuk ka raportuar as agjencisë serbe për të ardhurat që merr në institucionet e Kosovës.

Igor Simiq është deputet i Kuvendit të Kosovës, por ka marrë të ardhura edhe për funksionet që kryen në sistemin serb, nga Sigurimi pensional dhe invalidor, si dhe nga Fakulteti Ekonomik në Mitrovicën e Veriut.

Zoran Todiq është kryetar i Komunës së Leposaviqit sipas sistemit të Kosovës dhe kryetar i komunës së Leposaviqit sipas sistemit të Serbisë.

Millan Radojeviq është kryetar i Mitrovicës së Veriut dhe merr pagë nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, por është edhe drejtor i Fondit të sigurimit pensional dhe invalidor të Serbisë në Mitrovicën e Veriut.

Situata është e ngjashme edhe me zyrtarët e tjerë të Listës Serbe, pasi shumica prej tyre kryejnë funksione në sistemin kosovar dhe në atë serb dhe nuk i raportojnë as Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës e as Agjencisë Kundër Korrupsionit të Serbisë. /REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA