Drejtori i Australian Open fajëson komunikimin jo të duhur për dëbimin e Gjokoviqit

23/01/2022 11:46

Drejtori i turneut të tenisit Australian Open fajësoi “komunikimin e keq” për dëbimin e Novak Gjokoviqit nga Australia para nisjes së këtij turneu, por tha se tenisti numër një në botë planifikon që të marrë pjesë në këtë garë më 2023.

Gjokoviqi u kthye në shtetin e tij, Serbi pasi iu anulua viza para nisjes së Australian Open, për shkak të statusit të tij të vaksinimit kundër koronavirusit.

Ai kishte fluturuar drejt Melbërinit një javë para nisjes së turneut, por vendimi i Australisë për t’ia anuluar vizën, shuajti shpresën e Gjokoviqit që të garonte për të marrë titullin e 21-të Grand Slam, që do të thyente rekordin.

Drejtori i turneut, Craig Tiley u pyet nëse tenisti i pavaksinuar, Gjokoviq mund të marrë pjesë në garën e vitit 2023, pavarësisht mundësisë se atij mund t’i hiqet viza deri në tri vjet.

Tiley tha se qëllimi i Gjokoviqit është që të marrë pjesë në Australian Open më 2023.

Ai fajësoi “kushtet që po ndryshojnë shpejt” dhe “komunikimin e keq” me Qeverinë federale lidhur me dëbimin e Gjokoviqit, pasi tenisti serb fillimisht kishte siguruar një përjashtim mjekësor nga autoritetet e tenisit në Australi.

“Ishte një mjedis tejet sfidues”, tha Tiley, duke shtuar se Federata e Tenisit të Australisë disa herë ka tentuar që ta qartësojë situatën me autoritetet kombëtare, por natyra evoluese e variantit Omicron të koronavirusit, sipas tij bëri që të kishte “shumë kontradikta dhe kompleksitet me informacion”.

Tiley po ashtu hodhi poshtë pretendimet se Gjokoviq po planifikon ta padisë Federatën australiane të Tenisit.

Gjooviqi ka fituar nëntë herë turneun Australian Open, përfshirë edhe vitin e kaluar.

“Në fund të ditës, ai është tenisti numër një në botë dhe vërtetë e do Australian Open”, tha Tiley.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA