“Të lëmë mbrapa hijet e të shkuares”, Basha: Kundërshtarët tanë po mundohen të na përçajnë

22/01/2022 13:39

Lulzim Basha të shtunën u bëri thirrje demokratëve që të lënë pas hijet e të shkuares e simbolet e korrupsionit dhe të vazhdojnë përpara drejt një Shqipërie normale.

Në takimin e tij me demokratët e degës tetë në kryeqytet, Basha tha se kundërshtarët e demokratëve, të cilët nuk kanë patur siç kanë sot, të gjitha mjetet, po mundohen t’i përçajnë ata, pasi PD-ja sipas tij është pengesa e vetme mes të keqes dhe shpresës së shqiptarëve.

Ne jemi të vendosur që këto mundësi mos t’i gëzojë një grusht njerëzish dhe fëmijët e tyre, por të gjithë shqiptarët dhe fëmijët e tyre. Kjo është esenca e misionit tonë, kjo është esenca e asaj që kemi thënë “ Zgjedhim të Ardhmen” të lëmë mbrapa hijet e të shkuarës, të lëmë mbrapa simbolet e korrupsionit, të lëmë mbrapa praktikën e aliazhit politikë-krim-oligarki dhe të ecim përpara siç na takon ne demokratëve drejt një Shqipërie normale, me politikanë normal, me integritet, të aftë për të marrë me vete shumicën e shqiptarëve në rrugëtimin tonë drejt një Shqipërie ndryshe, ndryshe në kuptimin e shpresave dhe ëndrrave të të gjithë prindërve dhe të gjitha familjeve shqiptare për fëmijët e tyre”, tha ai.

Ai deklaroi se vizioni për të nesërmen që e shpjegojnë sa herë ka fushata, në fakt është vizioni i lindur nga nevojat e shqiptarëve dhe bashkë me detyrën për të shëruar plagët e hapura padrejtësisht dhe sipas tij do të bëhet gjithçka që të krijohet një aleancë sa më e gjerë e mundshme me qytetarët, duke iu thënë atyre se politika e mashtrimit, e gënjeshtrës, e shpifjes ju ka lodhur siç do të lodhte çdo njeri normal, çdo popull normal të Evropës.

Ne sfidave nuk u jemi trembur asnjëherë. Kundërshtarit edhe kur ka qenë dhe ka pasur siç ka sot, të gjitha mjetet, nuk i jemi trembur asnjëherë. E dinë që i fryn tam-tameve të përçarjes sepse duan ta përçajnë Partinë Demokratike pikërisht sepse është pengesa e vetme mes të keqes dhe shpresës së shqiptarëve për ndryshim, mes një shteti plaçkë e një pakice politikanësh, oligarkësh dhe kriminelësh dhe një shteti në shërbim të qytetarëve. Por ne nuk do ta lejojmë siç nuk e kemi lejuar ku me mençuri, ku me vendosmëri e ku të jetë e nevojshme me të dyja bashkë e me çdo sakrificë”, tha Basha.

Top Channel