Përplasja e radhës brenda Partisë Demokratike ka ndodhur këtë të shtunë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku u mbajt edhe seanca e parë për nisjen e procesit të pjesshëm zgjedhor në gjashtë bashki të vendit.

Në nisje të kësaj seance, Indrit Sefa, përfaqësues ligjor i PD-së, kërkoi fjalën duke i bërë me dije kryetarit strukturën e demokratëve, ku sipas tij, partia ka vendosur atë si përfaqësues ligjor, së bashku me Marash Logun.

Në këtë detyrë më parë, ka qenë Ivi Kaso, i cili ishte i pranishëm në seancë, por këtë herë si përfaqësues i Komisionit të Rithemelimit. Ky i fundit parashtroi përpara Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, argumentin se Lulzim Basha është shkarkuar me vendim të Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha, më 11 dhjetor 2021.

Po ashtu, ai ka thënë se vula dhe logoja e PD-së, janë rifreskuar me vendimet e këtij Kuvendi.

“Ju uroj suksese në procesin e dekretuar nga presidenti. I bëj me dije KQZ se jemi në një periudhë zgjedhore, përfaqësimi vijon automatikisht, nuk kemi ende subjekt zgjedhor në garë. I bëj me dije KQZ për një fakt të bërë publik, lidhur me faktin që prej dhjetorit 2021, jo vetëm nënshkruesi i letrës nuk është më kryetar i PD, sigla dhe vula e PD, kanë ndryshuar në raport me ato të depozituara në procesin e 25 prillit”, u shpreh Kaso.

Mirëpo, komisioneri, duke u bazuar edhe në aktet ligjore të KQZ-së, ka parashtruar faktin se raporti mes institucionit zgjedhor dhe partive politike, është tërësisht institucional.

“Në pikëpamje të ligjit, raporti i një partie politike me KQZ është një raport i vazhdueshëm dhe qoftë gjatë periudhës zgjedhore dhe jo zgjedhore. Ekziston një marrëdhënie për aq sa ligji e përcakton. Secili prej institucioneve ka mënyrën e vet dhe e demonstron në mënyrë të ligjshme. Me gjithë keqardhjen me këtë situatë, jemi në një marrëdhënie institucionale mes KQZ dhe PD ku ai që është përfaqësuesi ligjor i saj ka konsideruar cilët do të jenë përfaqësuesit e saj në KQZ. Për ju kjo ishte fjala e fundit në lidhje me këtë çështje dhe vijimin e mëtejshëm të mbledhjes së KQZ. Opinionet e PD, janë ato që do të prezantohen nga Indrit Sefa dhe Marash Logu,” tha Celibashi.

I pyetur dje nga Top Channel se kë njeh si kryetar të Partisë Demokratike, Celibashi tha “se duhet të shfaq një sjellje korrekte dhe institucionale, duke shtuar se partia që kërkon të regjistrohet duhet të paraqesë një sërë dokumentesh, një prej tyre nga Gjykata e Tiranës që përmban të dhënat mbi partinë politike, përfshirë emër, organet drejtuese, organet kompetente për të mbajtur marrëdhëniet me të tretët. Kështu që nuk është një çështje e komisionit është një çështje e përcaktuar mirë nga ligji”.

Në mungesë të logos dhe vulës Sali Berisha ka nisur negociatat me aleatët e PD-së për tu regjistruar si koalicion në zgjedhje.

 

Top Channel