Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shtunën zbuloi arsyen se pse ka refuzuar të takojë demokratët në të gjithë Shqipërinë, pas vendimit që mori për të përjashtuar nga partia ish-kreun e saj, Sali Berisha.
Në një takim me degën tetë në Tiranë, Basha akuzoi ish-kryeministrin dhe mbështetësit e tij që për interesa personale, madje edhe kur vetë PD ishte në pushtet, ata përsëri ishin të gatshëm t’u nxirrnin sytë demokratëve.
Për kreun e demokratëve si Sali Berisha dhe si mbështetësit e tij, pushtetin e tyre personal e kanë ndërtuar gjithmonë mbi sakrificën e demokratëve të ndershëm, duke marrë dhe duke menduar çfarë të marrin, kur sipas tij, çdo demokrat i ndershëm mendon çfarë të japi për këtë vend.
“Njerëzit e kanë kuptuar këtë. Nuk ka arsye tjetër pse jemi të gjithë bashkë sonte këtu e do të vazhdojmë të jemi ditë për ditë sepse njerëzit e kanë kuptuar. Pyetja që bënin njerëzit përpara pse s’del dhe ti, besoj e ka marrë përgjigjen. A mund t’i falja unë Edi Ramës kënaqësinë e një përplasje me demokratët si ajo që u përpoq të bënte Sali Berisha me ata pak njerëz që për karrigen e tyre janë gati të djegin Shqipërinë me datë 8 janar? A mund t’ia lejoja vetes time në radhë të pare, që ky që më njihni si çunin e lagjes tuaj, edukatës time familjare, sensit tim si demokrat që në momentin e parë që ka lind kjo parti e jo më pastaj përgjegjësisë që më keni ngarkuar si kryetar i Partisë Demokratike t’i vija demokratët kundër njëri-tjetrit”, tha Basha.
Ai theksoi se që në krye të herës është munduar të shmangë përplasjen mes demokratëve dhe për këtë arsye ka vendosur gjithmonë të mos i përgjigjet thirrjeve të gjithë atyre që i thoshin zbrit në bazë dhe takohu me demokratët.
“Jua kam thënë në fillim kush më ka pyetur, jo nuk e bëj. Lëre të shfryjë. E di që është plot me mllef, me zemërim, me gënjeshtra, por e keqja do ta bëjë ciklin e vet si çdo virozë, do të ketë edhe koston e vet si çdo virozë. Por, nuk luftohet duke i vënë demokratët përballë njëri-tjetrit dhe kjo është arsyeja besoj e kuptoni shumë mirë. 8 janari ua ka hapur sytë të gjithëve se pse kam marrë atë vendim dhe pse ai ishte vendim i drejtë. Dhe kjo është një arsye më shumë se pse sot jemi bashkë, jemi shumica absolute këtu e strukturave drejtuese, nesër do të jemi edhe më shumë siç ishim dje, siç ishim para 4 apo 5 ditësh, siç do të jemi nesër sepse demokratët nuk janë bashkë as për emrin, as për karrigen, as për famën e një njeriu të vetëm. Janë bashkë sepse tek bashkimi jonë shohin dhe gjejnë forcën për t’u bërë më të mirë, më të fortë, më të gatshëm që t’i përgjigjemi kujt? Kërkesave të shqiptarëve”, tha Basha.
Top Channel