Policia e Kukësit ka arrestuar një 31-vjeçar që ushtronte veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, e për më tepër shkelte masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në operacionin e koduar “Blic”, u sekuestruan gjithashtu një sasi me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 3 aparate celulare, 1 automjet, 3380 euro dhe një sasi lekësh.
“Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi S. E., 31 vjeç, i cili dyshohet se ushtronte veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, gjatë kohës që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 3 aparate celulare, 1 automjet tip “BMW”, 3380 euro dhe një sasi lekësh”, beri me dije policia.
Sipas bluve, operacioni po vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në organizimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel