Pas një udhëtimi epik 5 mujor, pilotja adoleshente Zara Rutherford zbriti me sukses në Belgjikë duke u bërë femra më e re që fluturon e vetme nëpër botë.
Rutherford u ul pa probleme në qytetin e Kortrijk, 90 kilometra në perëndim të Brukselit – i njëjti aeroport nga ku nisi udhëtimin e saj gushtin e kaluar. Në moshën 19-vjeçare, pilotja britaniko-belge është 11 vjet e 11 muaj më e re se amerikania Shaesta Waiz, e cila ishte 30 vjeçe kur vendosi rekordin ekzistues për gruan më të re që e bëri një udhëtim rreth botës solo në vitin 2017.
“Nuk shihja të kishte shumë pilote femra, dhe gjithmonë kam menduar se ishte me të vërtetë dekurajuese”, u tha Zara gazetarëve që e prisnin në tokë. “Në këtë mënyrë, unë shpresoj të inkurajoj më shumë vajza që të adhurojnë aviacionin”, shtoi ajo.
Rruga e Rutherford-it nëpër botë e çoi atë përmes Islandës në Groenlandë, në lindje të Kanadasë dhe SHBA-së përmes Amerikës Qendrore në Kolumbi, e pastaj përsëri në veri në Alaskë. Ajo fluturoi mbi Rusi, Kore, Indonezi dhe Indi drejt Lindjes së Mesme përpara se të kthehej në Europë me aeroplanin e saj Shark Aero, i cili është projektuar në Çeki dhe në Sllovaki dhe mund të arrijë shpejtësinë 295 kilometra në orë.
Problemet më të mëdha gjatë fluturimit të saj, pilotja e re thotë se i hasi me të ftohtin e ashpër rus dhe hapësirën e ngushtë ajrore të Koresë së Veriut.
Top Channel