Inter i jep një tjetër shans Sensit, për krahun e majtë synohet një serb

21/01/2022 15:38

I dëmtuar që në minutën e tretë të ndeshjes ndaj Empolit në Kupën e Italisë, sulmuesi argjentinas i Interit, Joaquin Correa ka kryer sot ekzaminimet e nevojshme mjekësore, të cilat kanë konstatuar një problem muskulor dhe pas dy javësh do të ketë një tjetër rivlerësim për të përcaktuar kohën e dëmtimit.

Pikërisht ndalja e argjentinasit, ka shërbyer si një shans I artë për mesfushorin Stefano Sensi, që erdhi nga pankina dhe shënoi golin e kualifikimit ndaj toskanëve, në atë që pritej të ishte ndeshja e fundit me fanellën e Interit.

Sensi kishte arritur marrëveshjen për t’iu bashkuar në huazim Sampdorias, por goli i shënuar dhe dëmtimi i Correas, ka bërë që zikaltrit të ndërrojnë mendje dhe të mbajnë mesfushorin në Milano, duke i dhënë një tjetër shans të tregojë cilësitë e tij.

Kalendari i ngjeshur ka bërë që Inzaghi të rivlerësojë mesfushorin, që pati një start perfekt të eksperiencës te Interi, por dëmtimet e shpeshta e kanë lënë disi në hije. Megjithatë duket se tashmë gjithçka ka mbetur pas krahëve dhe Sensi do të provojë të rikuperojë pozitat e tij në hierarki, pse jo, të rikthehet titullar në mesfushë, ashtu si dy vite më parë, kur luante bashkë me Brozovic e Barellën.

Ndërkohë sa i përket merkatos, Simone Inzaghi ka kërkuar me ngulm afrimin e serbit Kostiç, që është pjesë e Eintrachtit të Frankfurtit. Me Dimarcon që shihet më shumë si mbrojtës i majtë, në mesfushë momentalisht është alternativë vetëm Ivan Perisic, ndaj synohet afrimi i një tjetër futbollisti. Eintracht Frankfurt synon të arkëtojë rreth 15 milionë euro për kartonin e Kostic, ndërsa Interi ka ofruar huazim me të drejtë blerjeje për shifrën e 12 milionë eurove dhe marrëveshja pritet të arrihet vetëm në ditët e fundit të muajit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA