Vota e emigrantëve dhe modeli më optimal për ta mundësuar atë,ka qenë në fokus të bisedimeve që kryetari i KQZ Ilirijan Celibashi zhvilloi në Athinë me ministrin e brendshëm grek Maqis Voridhis.
Ndonëse një premtim shumëvjeçar i politikës shqiptare,deri tani ka qenë pikërisht politika që e ka përdorur votën e emigrantëve për përfitime mikropolitike.
Duket se këtë herë më tepër se politikës,kjo çështje i është lënë në dorë ekspertëve teknicientë,ndaj dhe për zotin Celibashi,vizita ka qenë e ngjeshur me takime me ekspertë të çështjes.
Në fokus të hulumtimeve të palës shqiptare ka qenë modeli Grek i votës së diasporës,dhe problematikat që rrjedhin prej procedurave detyruese të këtij ligji.
Greqia ka një ligj për votën e diasporës,por sipas ekspertëve grekë,mundësia e votimit për qytetarët grekë jashtë vendit,është tepër e koklavitur dhe e vështirë,ndaj në bisedime mes dy palëve u shkëmbyen mendime për zgjidhje konkrete dhe përmirësimin e procedurave në mënyrë që votimi i diasporës të kryhet thjeshtë,në mënyrë efektive dhe i pa cënuar.
Të dy vendet analizuan edhe modelet e vendeve të rajonit,ku modeli i Kosovës dhe ai bullgar,duket se janë goxha të përparuar dhe mjaftë praktikë.
Zoti Voridhi vlerësoi kontributin e emigrantëve shqiptarë në Greqi si dhe të minoritetit grek në Shqipëri si ura lidhëse solide që kanë tejkaluar me kohë stereotipet dhe mosmarrëveshjet mes dy vendeve.
Zoti Celibashi u shoqëruar prej ambasadores shqiptare në Athinë Luela Hajdaraga dhe një grup ekspertësh juristë.
Zoti Voridhi pritet të zhvillojë së shpejti një vizitë pune në Tiranë.
Top Channel