Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të premten përkujtoi 16 vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Në një shënim të shkurtër në Twitter, Basha shkruan se Rugova është simboli i përpjekjeve të Kosovës për pavarësi, duke shtuar se përkulet me mirënjohje kombëtare ndaj tij, shqiptarit që udhëhoqi lëvizjen më të madhe paqësore të Evropës moderne.
“Ne përulemi me mirënjohje të thellë kombëtare në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta, para emrit dhe veprës së përjetshme të Ibrahim Rugovës, simbolit të përpjekjeve të Kosovës për pavarësi dhe shqiptarit që udhëhoqi lëvizjen më të madhe paqësore të Evropës moderne”, thotë kryedemokrati.
Ai shprehet se Rugova është arkitekti i pavarësisë së Kosovës dhe sipas tij mbetet frymëzim për çdo shqiptar që e ka të shenjtë interesin kombëtar.
“Trashëgimia e tij politike dhe intelektuale, shndrin si arritja më e madhe e një lëvizjeje politike paqësore, e mishëruar sot në shtetin e pavarur të Kosovës”, shkruan Basha.
Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006. Varrimi i tij ishte njëri nga më të mëdhenjtë në historinë shqiptare.
Ai ishte shkrimtar, filozof e intelektual. Rugova është një nga themeluesit e Republikës së Kosovës dhe Lidhjes Demokratike, pa të cilin historia moderne e Kosovës nuk do të mund të shkruhet.
Është Presidenti i parë i Republikës së Kosovës.
Më 20 nëntor 2005, Këshilli i Qytetit të Nju-Jorkut e ka nderuar presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me një mirënjohje të veçantë për përkushtimin e tij në afirmimin e parimeve të demokracisë dhe për udhëheqjen e tij politike frymëzuese.
Top Channel