Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka kujtuar sot 11 vjetorin e 21 Janarit, ku gjatë protestës paqësore u vranë 4 protestues në Bulevard.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social facebook Balla deklaron se më 21 Janar 2011, Sali Berisha urdhëroi të qëllohet me plumba mbi popullin që kishte dalë në protestën më të madhe kundër regjimit të tij korruptiv, duke u marrë jetën katër shqiptarëve të pafajshëm e plagosur dhjetra të tjerë.
Sipas Ballës, hezitimi 11 vjeçar i prokurorisë për të marrë si fillim në pyetje dhe më pas nën akuzë atë që dha urdhërin të qëllohet mbi popullin, është turpi i drejtësisë.
“Për fat të keq edhe i drejtësisë së re, e cila po luan ping-pongun e vjetër me dosjen sipas tyre ende pa autor të dëshmorit Aleks Nika”, shkruan Balla.
Postimi i plotë i Taulant Ballës:
KURRË NUK DO HARROJMË!🇦🇱
Më 21 Janar 2011 Sali Berisha urdhëroi të qëllohet me plumba mbi popullin që kishte dalë në protestën më të madhe kundër regjimit të tij korruptiv, duke u marrë jetën katër shqiptarëve të pafajshëm e plagosur dhjetra të tjerë. Sali Berisha e ka pranuar botërisht se ai ka qenë urdhëruesi. Kemi depozituar kallzim penal pas ngjarjes me prova dhe fakte ndaj zinxhirit komandues të vrasjeve më 21 Janar, kupola e të cilëve nuk u morën kurrë të pandehur. Hezitimi 11 vjeçar i prokurorisë për të marrë si fillim në pyetje dhe më pas nën akuzë atë që dha urdhërin të qëllohet mbi popullin, është turpi i drejtësisë. Për fat të keq edhe i drejtësisë së re, e cila po luan ping-pongun e vjetër me dosjen sipas tyre ende pa autor të dëshmorit Aleks Nika. Urdhëruesi është Sali Berisha!
Protesta e 21 janarit 2011 u mbyll me katër viktima, tre të vrarë me armë zjarri në harkun e dhjetë minutave dhe një i plagosur rëndë që do të ndërronte jetë pak ditë më vonë.
Sot mbushen 11 vjet nga vrasja e 4 protestuesve të cilët atë kohë protestonin para Kryeministrisë, më 21 Janar të 2011-ës kur Partia Socialiste ishte në opozitë ndërsa PD-ja dhe LSI-ja qeverisnin së bashku dhe kryeministër atëherë ishte Sali Berisha, ndërkohë Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm.
Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë viktimat e 21 janarit. Familjarët e tyre akoma sot presin drejtësi. Vitin e kaluar Policia e Tiranës përmes një kërkese i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës për rihapjen e dosjes “21 Janari”. Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet për njërin prej të vrarëve në bulevard, Aleks Nikën, në 2020.
Sot politika “noton” në të tjera ujëra. Partia Socialiste është pozitë në mandatin e tretë edhe pse akoma se ka mbajtur premtimin për drejtësi për 4 viktimat në bulevard. Ndërkohë partia më e madhe opozitare është e përçarë. Sali Berisha i shpallur non-grata nga SHBA kërkon të marrë kryesimin e PD, ndërkohë që Basha thotë që anëtarët e PD kanë zgjedhur atë si kryetar.
Top Channel