Ish-Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova u nda nga jeta 16 vite më parë, por la pas kontributin e vyer për pavarësinë e vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, shkruan për meritën historike që ka pasur Rugova në pavarësinë dhe ngritjen e shtetit demokratik të Kosovës.
“Sot kujtojmë ‘Gandin e Ballkanit’, shqiptarin e madh, Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Udhëheqësia e tij e mençur ka meritën historike në pavarësimin dhe ngritjen e shtetit demokratik të Kosovës, me orientimin e palëkundur të integrimeve në BE dhe NATO, në mirënjohje dhe koordinim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Balla.
Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, pas përballjes me kancerin në mushkëri. Ai ishte presidenti i parë i Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe sërish në vitet 2002–2006.
Rugova ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar, ndërsa u njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës.
Duke pasur si pikëmbështetje Shoqatën e Shkrimtarëve, qe ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ishte lëvizja e parë demokratike mbarëpopullore, e cila u shndërrua në parti, duke nisur një fushatë paqësore kundër Serbisë.
Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që pasoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës.
Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.
Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.
Top Channel