Zgjedhjet e pjesshme vendore, Ristani në Open: Koalicion i gjerë, jemi në bisedime me LSI dhe parti të tjera

20/01/2022 21:22

Arben Ristani, pjesë e grupimit të ish-kreut të PD-së, Sali Berisha tha në emisionin Open në Top Channel këtë të enjte se do të ketë një koalicion të gjerë në lidhje me zgjedhjet e pjesshme vendore që pritet të mbahen më 6 mars.

Sipas tij, Komisioni i Rithemelimit të PD-së është në bisedime me LSI-në dhe parti të tjera, ndërsa nuk ka diçka konkrete.

Ristani u shfaq i bindur duke thënë se PD nuk do të lihet pa u përfaqësuar në çdo lloj situate të jetë,

“Regjistrimin në KQZ do ta shikojmë, janë disa forma. Gjykata duhet ta kishte shqyrtuar çështjen sepse ka mbaruar afati ligjor, por mund të ketë një vendim të shpejtë. Jemi duke biseduar për një koalicion të gjerë, në asnjë rast shumica e PD dhe e popullit nuk do të lihet pa u përfaqësuar. Koalicion me të djathtat opozitare. Nëse nuk përfaqësohet, do gjejmë një mënyrë, jemi në bisedime, do e gjejmë formën. Jemi në bisedime të LSI dhe parti të tjera“, tha Ristani.

Presidenti Ilir Meta dekretoi datën 6 mars për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore. Bashkitë që kanë mbetur pa kryetar janë ato të Shkodrës, Vorës, Durrës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Lushnjës.

Aktualisht, Vora, Durrësi, Rrogozhina dhe Dibra drejtohen nga kryetar të emëruar dhe jo të zgjedhur. Ndërsa Voltana Ademi në Shkodër vijon të mbajë mandatin përtej afateve.

 

Top Channel