Gjatë vizitës në laboratorin e referencës në Institutin e Shëndetit Publik, Ministrja e Shëndetësisë tha se po merren masat për përballimin e situatës së epidemisë në vend, ku aktualisht mbizotëron varianti Omicron në 95% të rasteve
Rriten me 30% kapacitetet testuese në laboratorin e referencës së Institutit të Shëndetit Publik, falë investimit në aparatura të reja të teknologjisë së fundit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu pa nga afër investimin e ri në ISHP, ku tha se këto pajisje janë pjesë e planit për përgjigjen ndaj pandemisë dhe emergjencave të shëndetit publik.
“Kemi investuar për Institutin e Shëndetit Publik në raport me rritjen e kapaciteteve, të cilat vijnë të rritura me rreth 30% krahasuar me ato më parë, duke rinovuar dhe shtuar flotën e pajisjeve përsa i përket aparaturave dhe gjithashtu duke kontribuar në përballimin më të mirë të situatës. I vlejnë Institutit të Shëndetit Publik, jo vetëm për PCR dhe evidentimin e koronavirusit por gjithashtu edhe për një seri agjentësh. Kjo është e rëndësishme sepse hap një gamë të analizimit të viruseve të tjera. Që do të thotë që përgatitemi dhe forcojmë kapacitetet tona, jo vetëm për t’iu përgjigjur situatës aktuale për fuqizimin e kapaciteteve, por edhe për t’i paraprirë asaj që gjithë bota sot po synon, emergjencave që mund të ndodhin në të ardhmen. Pra, të përballemi dhe të kemi një përgjigjie ndaj emergjencave të shëndetit publik”, tha Manastirliu.
Duke folur për situatën epidemiologjike, Manatirliu tha se në 95% të rasteve të identifikuara me Covid19, mbizotëron varianti Omicron, duke shtuar që janë 330 pika në të gjithë vendin për kryerjen e testit të antigenit.
“Jemi në një situatë ku incidenca vlerësohet e rritur. Përpara dy ditësh kemi patur pikun më të lartë ndonjëherë të rasteve të infektimeve, ku siç është konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik, mbi 95% e rasteve sot paraqiten me variantin Omicron. Për të përballuar këtë situatë është e nevojshme testimi i shpejtë, testimi i sigurt. Ne nuk kemi ndalur në asnjë moment përpjekjet tona qoftë përsa i përket testimit të shpejtë dhe testimit nëpërmjet PCR, ndaj po rrisim kapacitetet. Kemi 330 pika në të gjithë Shqipërinë ku kryhet testi i shpejtë falas në qendrat tona shëndetësore”, tha Manastirliu.
Duke theksuar se do të vijojë forcimi i kapaciteteve spitalore, Manastirliu bëri me dije se po punohet për të pasur projektin e zbatimit për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Institutit të Shëndetit Publik.
“Për Institutin e Shëndetit Publik jemi duke punuar të gjithë së bashku për të pasur një investim rrënjësor të rehabilitimit por edhe të ndërtimit të laboratorit të Institutit të Shëndetit Publik, ku jemi duke punuar për projektin e zbatimit dhe më pas për të financuar një ndërhyrje tjetër të rëndësishme, përsa i përket forcimit të kapaciteteve të Institutit të Shëndetit Publik dhe për t’iu përgjigjur padyshim asaj që do koha në përballje me emergjencat e shëndetit publik dhe në funksion të mbrojtjes së jetës së qytetarëve tanë”, bëri me dije Manastirliu.
Drejtoresha e ISHP, dr. Eugena Tomini vlerësoi investimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për rritjen e kapaciteteve: “Ky është një moment shumë i rëndësishëm sepse në pikun kur kemi një rritje të numrit të rasteve, ne na shtohen kapacitetet laboratorike përkundrejt diagnozës së shpejtë, përgjigjies në kohë të rezultatit, sigurisht triazhimit të pacientëve dhe izolimit të tyre në kohë. Kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për laboratorin në drejtim të kapaciteteve të ngritura por edhe në drejtim të ngritjes së burimeve njerëzore”, tha Tomini.
Gjatë vizitës në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se po punohet për forcimin e kapaciteteve spitalore, duke bërë me dije se shumë shpejt do të hapen punimet për rindërtimin e Spitalit Infektiv, ndërsa apeloi sërish qytetarët për kryerjen e vaksinës anticovid, duke theksuar rëndësinë e dozës përforcuese për uljen e shtrimeve në spitale dhe formave të rënda të sëmundjes.
Top Channel