Mediu: Opozita të dalë me kandidatë të përbashkët në 6 mars/ Mërtiri: Nëse Basha dhe Berisha bashkohen, PD humbet më shumë

20/01/2022 21:56

Qytetarët e gjashtë bashkive të vendit do të zgjedhin kryebashkiakët në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Zgjedhjet që u dekretuan sot nga Presidenti Ilir Meta vijnë në një kohë kur PD është më e përçarë se kurrë. Sali Berisha do të dalë me kandidatët e vet, ndonëse nuk dihet si do të regjistrohet në zgjedhje, për sa kohë që nuk ka një parti legjitime. Interesante do të jenë dhe vendimet që do të marrin partitë e tjera opozitare, nëse do të jenë krah Berishës apo Lulzim Bashën dhe PD-së zyrtare.

Kryetari i Partisë Republikane, i ftuar në “Open”, thotë se është e domosdoshme që palët të ulen në një tryezë dhe të dalin me kandidatë të përbashkët.

Opozita duhet të gjejë rrugën e komunikimit dhe të dalë me kandidatë të përbashkët. Një tryezë e përbashkët e të gjithë faktorëve opozitarë. Nëse duam kandidatë fitues, zëri për të caktuar kandidatët, duhet të jetë zëri qytetar. Kjo është mënyra e vetme që opozita t’i kthejë në një shans pozitivë për veten këto zgjedhje”.

Ndërsa sipas analistit Ergys Mërtiri, nëse Basha bashkëpunon me Berishën, Partia Demokratike do të humbasë më shumë në zgjedhje. Berisha, thotë ai, nuk ka asnjë interes të garojë me kryeministrin Edi  Rama dhe Partinë Socialiste që është në pushtet.

“Këtu as nuk ka ndonjë interes që të fitohet Rama. Berisha nuk po futet për të mundur Ramën. Në kushtet ku është PD-ja, vështirë se mund ta mundin. Madje mendoj se është më e pamoralshme të bëhen bashkë, do humbin akoma më shumë. Çfarë nuk kanë nxjerrë nga goja për njëri-tjetrin“.

Zgjedhjet do të mbahen në bashkitë që aktualisht janë pa kryetarë: në Durrës, Shkodër, Dibër, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Vorë.

Top Channel