Parlamenti malazez pritet të vendosë mbi propozimin e kryeministrit Zdravko Krivokapic për shkarkimin e numrit 2 të qeverisë, Dritan Abazoviç falë partisë së të cilit u arrit të krijohej pas zgjedhjeve koalicioni qeverisës.

Pas kësaj, ligjvënësve në vendin fqinj do tu duhet gjithashtu të shqyrtojnë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë të paraqitur nga koalicioni Bardh e Zi, që është pjeë e ekzekutivit, si dhe nga deputetë të opozitës.

Mbrëmjen e djeshme, Krivokapiç depozitoi kërkesën që parlamenti të mblidhet për një seancë të jashtëzakonshme në 3 shkurt, në mënyrë që të merret një vendim për propozimin e tij të heqjes së Abazoviçit dhe caktimit të ministrit të financave, Milojko Spajic në vendin e tij.

Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi Lëvizja Qytetare Ura e Abazoviçit njoftoi se kishte dërguar në procedurë parlamentare mocionin për mosbesimin e Qeverisë së Krivokapiçit.

Nisma mban firmën e anëtarëve të koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.

Ura tha se iniciativa do të tregojë nëse Qeveria aktuale e ka mbështetjen e shumicës së deputetëve, por edhe për modelin e propozuar për krijimin e një qeverie të pakicës”.

Ura dhe CIVIS më 17 janar shpalosën propozimin e tyre për krijimin e një qeverie të pakicës si model për tejkalimin e krizës politike në Malin e Zi. Për shkarkimin e Qeverisë së Malit të Zi kërkohen votat e 41 deputetëve.

Me mbështetjen e partisë së Gjukanoviçit, që ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura mund të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.

Top Channel