Kurbin/ Basha: Vija e kuqe ndarëse mes shumicës së padiskutueshme dhe pakicës përfituese është dhuna

20/01/2022 16:13

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të enjten akuzoi Sali Berishën si shërbëtor të kryeministrit Edi Rama që për interesa krejt personale të tij kërkon të ndajë në dysh partinë.

Në fjalën e tij para demokratëve të Kurbinit, Basha tha se anëtarët e kësaj force politike janë vetëdijësuar se vija e kuqe ndarëse e asaj që është shumica e padiskutueshme dhe një pakice që ka përfituar gjithmonë në kurriz të saj është dhuna.

Besoj i keni dëgjuar mesazhet e aleatëve tanë. Nuk kanë nevojë për përkthim. Duan që shqiptarët të zgjedhin të ardhmen. Duan dhe presin që të jenë në krahun tonë kur PD të qeverisë vendin me përgjegjësinë që i takon që do sjellë demokracinë dhe shtetin e të drejtës e të të gjithë shqiptarëve, jo të një pakice”, tha Basha.

Për kryedemokratin mesazhi është i qartë: aleatët janë të interesuar të jenë në krah të Partisë Demokratike si një forcë qeverisëse.

E dinë se nga kjo stuhi e cila goditi brigjet tona por do shtrihet anë e mbanë Ballkanit për të rrëzuar pemët e kalbura të korrupsionit e për ta bërë një zonë ku njerëzit jetojnë njësoj si në vendet e tjera të Europës. Nëse beteja nuk fitohet këtu ku do të fitohet?”, deklaroi kryedemokrati.

Ai tha se demokratët duhet të jenë të vendosur me një qëllim që i bashkon, sepse sipas tij, demokratët e vërtetë janë të bashkuar në qëllim, janë gati të bëjnë çdo sakrificë për shqiptarët, familjet e fëmijët e tyre që të largojnë sa më parë regjimin e Edi Ramës, për të sjellë ndryshimin në vend.

Parakusht është të mos mbetemi peng i të shkuarës”, tha Basha.

Sipas tij,  personat që kërkojnë të përçajnë Partinë Demokratike e bëjnë këtë për hesap të Edi Ramës. Kryedemokrati theksoi se atyre u duhet thënë ndal, ose jashtë partisë.

Një grusht njerëzish janë këta, që i kanë bërë llogaritë gjithmonë për xhepat e tyre”, u shpreh ai.

Sipas tij dy janë mundësitë për të përmbysur tiraninë e krijuar brenda tyre, “e para të qëndrojmë të bashkuar dhe e dyta të mos ta humbasim busullën tonë, të PD-së, partisë perëndimore, pro amerikane dhe evropiane. Këtë nuk e përcaktojnë fjalët, por veprat tona kanë folur qartë”.

Kryedemokrati u ndal edhe te Këshillimi Kombëtar, nismë e kreut të qeverisë Edi Rama.

Ajo që më parë thuhej se “çfarë do populli bën partia, çfarë thotë partia bën populli”, sot quhet konsultim kombëtar. Është i njëjti mentalitet”, tha Basha .

Ai vazhdoi me akuzat për sa i përket kësaj nisme, “pasi e ka vjedhur dhe zbrazur si askush Shqipërinë dhe pasi ka ngritur në fron llumin e shoqërisë, tani Edi Rama na çon formularë, ndërkohë që policia i tërheq zvarrë gratë 80-vjeçare”.

Ndërsa sa i përket votës së lirë sipas tij vjen falë reformave zgjedhore, territoriale dhe vetting-ut të politikanëve.

Jam këtu që t’ju them Edi Ramës dhe tubave të oksigjenit, që do i japim fund tranzicionit”, vijoi Basha.

Ai e mbylli duke ju dhënë një mesazh demokratëve se, “do të jemi në krah të njëri-tjetrit. Do të jem kudo, nga Vermoshi, dhe në Konispol për t’i ngritur të gjithë së bashku si një valë ndryshimi dhe pozitiviteti. Besoni te PD-ja”.

Top Channel