Covid-19 ka shënuar një rritje të lartë të vdekshmërisë në vend edhe për 9-mujorin e vitit 2021.

Sipas të dhënave të Eurostat, që i raporton edhe të dhënat për Shqipërinë në bazë javore, fatalitetet për 37 javët e vitit 2021 (deri në muajin shtator) u rritën gjithsej me 33.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, kur vendi ishte në një periudhë normale, duke arritur në 21.1 mijë jetë të humbura në total.

Por, ndryshe nga viti 2020, kur vdekshmëria shtesë ishte shumë më e lartë te meshkujt në raport me femrat, në vitin e dytë të pandemisë, Covid-19 nuk ka kursyer as femrat.

Sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor”, për 9-mujorin 2021, fatalitetet e femrave u rritën me rreth 28%, duke arritur në gati 9,400.

Megjithatë, meshkujt vazhdojnë të jenë më të goditur nga pandemia. Për të njëjtën periudhë, fatalitetet e kësaj gjinie u rritën me 38.5%, duke arritur në rreth 11.7 mijë humbje jete.

Për 9-mujorin 2021, vdekjet e meshkujve zinin 55.5% të totalit, nga 53.5% që ishte kjo peshë në të njëjtën periudhë të vitit normal 2019.

Në vitin 2020, në kulmin e pandemisë, vdekjet e meshkujve arritën deri në 60% të totalit./Monitor/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA