Top Talk/ Grupimi Berishës gati për zgjedhje lokale. Për herë të parë kandidatët dalin nga primaret

19/01/2022 17:59

Grupimi Berishës është gati për zgjedhje lokale që do të mbahen në vendin tonë. Kështu ka thënë anëtari i Komisioni të Rithemelimit të PD-së, Çlirim Gjata në një lidhje live në emisionin Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja.

Ai shprehet se në çdo lloj date të mbahet, ata janë gati dhe se nuk janë të ndarë në dy grupe, ata që mbështesin Bashën dhe të tjerë që mbështesin Berishën, por janë të gjithë të Partisë Demokratike.

“Duke qenë se jemi për 6 bashki e ka parë primare për të përcaktuar një datë për zgjedhje të mira cilësore. Asnjë lloj problemi le të bëhen. Në statut kemi vendosur primaret, nuk ka kandidatë të Bashës apo Berishës, janë të Partisë Demokratike dhe do t’i nënshtrohen primareve për herë të parë, me votim të fshehtë një anëtar një votë. Kushdo që do me konkuru, s’ka rëndësi është me Bashën apo Berishën, kush do të vijë të konkurrojë”, tha Gjata.

Kujtojmë se Presidenti i Republikës Ilir Meta këtë të mërkurë u takua në Presidencë me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla për caktimin e një date për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në gjashtë bashki të vendit.

Në një deklaratë për mediat, pas takimit me Ballën, Meta tha se mori garancinë se Partia Socialiste është gati për zgjedhjet e pjesshme vendore në çdo kohë.

Bashkitë që kanë mbetur pa kryetar janë ato të Shkodrës, Vorës, Durrës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Lushnjës.

Aktualisht, Vora, Durrësi, Rrogozhina dhe Dibra drejtohen nga kryetar të emëruar dhe jo të zgjedhur. Ndërsa Voltana Ademi në Shkodër vijon të mbajë mandatin përtej afateve.

Top Channel