Shembja e shtëpive tek 5 Maji/ PD dorëzon kërkesën për seancë urgjente dëgjimore në Komisionin e Ligjeve

19/01/2022 19:26

Tetë deputetë demokratë, anëtarë të Komisionit të Ligjeve, i dërguan kryetares së këtij Komisioni një kërkesë ku i kërkohet mbajtja e një seance dëgjimore ditën e premte në lidhje me çështjen e shtëpive tek zona e 5 Majit, në Tiranë.

Në kërkesën e tyre theksohet se kjo seancë është thirrur si një përpjekje për t’i ardhur në ndihmë banorëve që nuk kanë asnjë përgjigje nga asnjë institucion dhe që aktualisht ndodhen nën presionin e policisë për prishjen e shtëpive.

Kërkesa është firmosur nga deputetët Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj, Dhurata Çupi, Saimir Korreshi, Greta Bardeli, Dashnor Sula, Elda Hoti dhe Bledion Nallbati, duke vënë në dukje detyrimin e këtij komisioni për të mbrojtur të drejtat e njeriut, posaçërisht të drejtën e pronës për rastin e familjeve në zonën e 5 Majit.

Në seancë dëgjimore, përveç një përfaqësie nga banorët, janë thirrur edhe përfaqësues nga disa institucione:

  1. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj;
  2. Drejtori i IMT pranë Bashkisë Tiranë;
  3. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano;
  4. Avokati i Popullit, Erinda Ballanca

Deputetët e PD-së kërkojnë gjithashtu edhe paraqitjen nga institucionet të dokumentacionit të plotë mbi projektin dhe veprimtarinë e institucioneve mbi pronën e qytetarëve.

Në orët e para të së mërkurës, shembja e banesave në zonën e 5 Majit në kryeqytet në kuadër të projektit të rindërtimit u shoqërua me përplasje mes policisë dhe banorëve. Sot ishte afati i fundit i vendosur nga Bashkia e Tiranës për lirimin e banesave, por disa prej banorëve kundërshtuan.

Për një prej banorëve që refuzonte të linte banesën e tij, u desh ndërhyrja e efektivëve të policisë për ta larguar. Disa të tjerë u dorëzuan dhe nisën me nxjerrjen e orendive shtëpiake dhe sendeve personale.

Nga projekti për lagjen e re të 5 Maji preken banorët e njësisë administrative nr.4 dhe nr.8 të cilët do të marrin kompensim të plotë, duke shkëmbyer banesën e tyre me një shtëpi në godina e reja që do të ndërtohen për të pastrehët nga tërmeti.

Deri në momentin që do të futen në shtëpinë e re këta banorë do të marrin bonusin e qirasë nga Bashkia e Tiranës.

Top Channel