Nuk ishte e thënë që Samuel Umtiti të shohë ditë të lumtura si futbollist i Barcelonës.
Mbrojtësi francez, të cilit klubi sapo i rinovoi kontratën deri në vitin 2026 (ishte zgjidhja më e përshtatshme, duke i ulur pagën, që rëndonte shumë aktualisht në arkat e klubit), do të duhet të qëndrojë rreth tre muaj në infermieri pas operacionit që iu nënshtrua orët e fundit. Në njoftimin e klubit “blaugrana” shkruhet:
“Lojtari i ekipit të parë, Samuel Umtiti, i është nënshtruar një operacioni të suksesshëm për frakturën në metatarsin e pestë të këmbës së djathtë.
Operacioni është kryer këtë të martë nga doktor Antoni Dalmau nën mbikëqyrjen e Shërbimeve Mjekësore të Klubit. Koha e përafërt e riaftësimit do të jetë tre muaj.
Kujtojmë se kjo frakturë është pësuar gjatë stërvitjes së të hënës, kur mbrojtësi francez pësoi një traumë në këmbën e djathtë.”
Top Channel