Pas largimit të Spahos nga partia, Ervin Salianji zgjidhet drejtues politik i Korçës

19/01/2022 15:32

Deputeti Ervin Salianji është caktuar nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha si Drejtues Politik i qarkut Korçë. Ai zëvendëson në këtë detyrë deputetin Edmond Spaho, pasi ky i fundit u përjashtua nga partia.

Lajmi u konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi. Ai tha se kryetari i PD-së, z.Basha ka caktuar si Drejtues Politik të qarkut Korçë deputetin, Ervin Salianji.

Në njoftim theksohet se Salianji do të jetë edhe Kryetar i Këshillit Koordinues të Qarkut, që është struktura e përhershme me përgjegjësi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të PDSH-së në nivel qarku.

Kujtojmë se Partia Demokratike mori masa ndëshkuese ndaj 28 anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit të PD-së, një strukturë kjo e ngritur nga Kuvendi i thirrur me 11 dhjetor nga ish-kryeministri Berisha, për të drejtuar partinë deri në zgjedhjet e reja, por që nuk njihet nga kryetari Lulzim Basha dhe institucionet e kësaj partie.

Përveç zotit Berisha, përjashtimi i menjëhershëm nga PD, preku edhe 8 emra të tjerë, mes të cilëve edhe ish presidentin Bujar Nishani apo dhe tre deputetët Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Albana Vokshi.

Po ashtu, pas nisjes së seancës së parë plenare për vitin 2022 të Kuvendit të Shqipërisë (17 janar) pati një deklaratë nga deputeti Edmond Spaho, i cili me tone të larta hodhi akuza mbi kryetarin e kësaj force politike, Lulzim Basha, lidhur me vendimin e këtij të fundit për përjashtim nga grupi parlamentar demokrat.

Ai theksoi se Basha ka bërë gjithçka vetëm që të ruajë karrigen e tij.

Nuk kanë të ardhme demokratët me këtë, me një njeri që ka humbur katër palë zgjedhje dhe shitet si e ardhmja e demokratëve. Do t’i vijë dita, mos kujtojë se e ka të largët. Qytetarët do t’i japin atë që meriton këtij njeriu”.

Në fakt, vendimi nuk duket të jetë ndonjë surprizë, nëse merret parasysh fakti se që mbrëmjen e 8 janarit zoti Basha deklaroi se ajo çfarë kishte ndodhur kishte shënuar “ndarjen përfundimtare me ish-kryeministrin Berisha dhe mbështetësit e tij”.

Top Channel