Kosova shtrenjton energjinë/ Albin Kurti: Vendosim 75 milionë euro, ndihmë më të varfërve

19/01/2022 20:01

Paralajmërimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike i ka shqetësuar qytetarët e Kosovës.

Ata thonë se as subvencionimi nga ana e Qeverisë nuk do t’i ndihmojë.

“Kjo është katastrofë, nëse rritet çmimi i energjisë duhet të rriten edhe të ardhurat personale.”

“Të ardhurat janë të vogla, familjet nuk kanë kah të gjinden. Do të jetë një krizë që do ta ndjejë populli.”

“Çdo rritje më shumë se 20 % mendoj se është shumë e lartë.”

Mirëpo, shefi i ekzekutivit shprehet i bindur se subvencionimi është zgjidhja më e mirë për të kaluar krizën energjetike.

“Do të vëmë në dispozicion 75 milionë euro subvencion për të mos i prekur fare rritje e çmimeve të energjisë konsumatorët e amvisërisë që konsumojnë deri në 600 kËh në muaj si dhe bizneset”, tha Kurti.

Përkundër kësaj, institucionet ende nuk e dinë saktë se sa qytetarë pritet të ndihmohen nga ky subvencion e nëse kjo shumë do të jetë e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimin deri në fund të vitit.

 “Nga ky bilanc mund të ketë lëvizje dhe secila lëvizje do të thotë se mund të ketë nevoja për subvencion shtesë”, tha Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë.

Kundër propozimit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike ka dalë opozita që ka paralajmëruar edhe protesta. Paraprakisht po synon që të enjten në Kuvendin e Kosovës të votojë një rezolutë që e ndalon këtë veprim.

 

Top Channel