Olta Xhaçka, ministrja e parë e jashtme e Shqipërisë që adreson Këshillin e Sigurimit në OKB si vend anëtar theksoi gjatë mbledhjes së kësaj të marte se nuk mund të ketë paqe pa gratë.

Ministrja shqiptare gjatë mbledhjes me temë “Gratë, Paqja dhe Siguria” tha se kjo çështje është prioriteti kryesor i agjendës së Shqipërisë për dy vitet e ardhshme.

Me krenari ajo përmendi se Shqipëria renditet aktualisht ndër 5 qeveritë e para me barazi gjinore të balancuar, me 75% të posteve ministrore të mbajtura nga gratë.

Fjala e plotë e ministres:

Zonja Presidente,

Është një nder i madh për mua që të jem Ministrja e Parë e Jashtme Shqiptare, që adresoj Këshillin e Sigurimit si anëtar jo i përhershëm i këtij organi të rëndësishëm. Por ajo që e bën këtë rast dhe më të veçantë për mua dhe vendin tim është çështja që po adresojmë sot: Gratë, Paqja dhe Siguria, një çështje që është prioriteti kryesor i agjendës së Shqipërisë për dy vitet e ardhshme.

Dua të falenderoj kolegen Norvegjeze dhe Presidencën e Norvegjisë për këtë mundësi. Gjithashtu dua të falenderoj Komisioneren e Lartë Bachelet për fjalën e saj. E njoh angazhimin e saj personal për këtë kauzë.
Gjithashtu dua të falenderoj Ms. Yaftali dhe Ms. Asoka për perspektivat nga terreni që ishin veçanërisht shumë informuese.

Kam punuar për këtë agjendë për disa kohë tanimë si politikane, por gjithashtu edhe si aktiviste për të drejtat e grave. Dhe gjatë gjithë këtyre viteve një mendim më ka shoqëruar në mënyrë konstante: Si është e mundur që gratë duhet akoma të luftojnë për diçka kaq elementare si barazia, e për të njëjtat të drejta si burrat që janë gjysma tjetër e popullsisë?
Është e ndërlikuar, që edhe në kohën ku jetojmë barazia e të drejtave, e përfaqësimit, edukimit dhe mundësive nuk janë të mirëqena nëse je grua. E për më tepër edhe e drejta për të marrë pjesë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë nuk merret si e mirëqenë nëse je grua.

Është një e vërtetë e trishtuar e historisë, por është gjithashtu një e vërtetë e trishtuar e ditëve dhe epokës tonë që ndërsa burrat aktualisht shkaktojnë pjesën më të madhe të luftimeve, gratë shpesh mbajnë peshën kryesore të tyre. Nuk e them këtë si një slogan klishe. E them si një mësim që ne shqiptarët e kemi nxjerrë nga historia jonë. E pamë këtë në Kosovë. Gratë u lanë pas për t’u kujdesur për familjet e tyre, gratë u lanë pas për të mbledhur pjesët e mbetura.
Gratë përdhunoheshin, torturoheshin dhe vriteshin si shënjestra të qëllimshme të një fushate kriminale të spastrimit etnik.
Dhe këtë e shikojmë në të gjitha konfliktet kudo në botë nga Afganistani në Jemen, nga Mianmar në Etiopi, në Siri ose përndjekja që iu bëhet aktivistëve në Bjellorusi.

Aktivistet gra përballen me kërcënime dhe rreziqe, ku përfshihen ndalimet arbitrare, rrëmbimet e zhdukjet nga autoritetet qeveritare, madje edhe vrasje nga autoritetet qeveritare, jo vetëm për shkak të rreziqeve të zakonshme që vijnë me aktivitete e tilla në zonat e konfliktit, por edhe për faktin që janë gra.

E megjithatë, unë e di se ka rezistencë që gratë të luajnë rol në mënyrën se si arrihet paqja. Se si zgjidhen konfliktet.
30 vjet më parë, kur vendi im filloi rrugën e tij të gjatë dhe të vështirë drejt rindërtimit nga dekada izolimi dhe rrënimi nën një regjim jashtëzakonisht radikal komunist, ne bëmë të njëjtin gabim. I mohuam gruas rolin në rindërtim, në pajtim, në procesin e hedhjes së themeleve të Shqipërisë tonë të re. Ne kemi paguar për atë gabim. Por edhe kemi mësuar prej tij.

Jam krenare që barazia gjinore është një prioritet i lartë për Qeverinë Shqiptare, jo vetëm me fjalë dhe politika, por edhe me veprime e arritje konkrete. Shqipëria renditet aktualisht ndër 5 qeveritë e para me barazi gjinore të balancuar, me 75% të posteve ministrore të mbajtura nga gratë. Një përqindje e ngjashme e posteve ekzekutive të nivelit të lartë dhe të mesëm, si dhe disa nga postet kryesore më të larta publike – duke përfshirë institucionet e pavarura, agjensitë, departamentet në fusha kyçe të shtetit – mbahen nga gratë.

Ne kemi përfituar. I gjithë vendi ka përfituar.
Kjo është arsyeja pse ne vendosëm ta bëjmë Gratë, Paqen dhe Sigurinë prioritetin tonë kryesor. Në këtë frymë, ne iu bashkuam Norvegjisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Nigerit, në Deklaratën e Angazhimeve të Përbashkëta për ta bërë Gratë, Paqen dhe Sigurinë prioritetin kryesor gjatë Presidencave tona në KS.

Megjithatë, ne e dimë se pjesëmarrja dhe mbrojtja ecin paralelisht. Për këtë arsye unë do të doja të përqendrohesha në 4 pika kryesore:
Së pari, të mbështesim dhe të vëmë në dispozicion burime për organizatat relevante të OKB-së për të ofruar të gjithë mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme për gratë aktiviste të të drejtave të njeriut, paqendërtueset dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile që janë në rrezik, duke përfshirë ato që kanë informuar Këshillin e Sigurimit ose janë angazhuar në cilësi të tjera me sistemin e OKB-së.

Së dyti, të krijojmë mekanizma financimi fleksibël të afta për të vepruar shpejt dhe për t’u përgjigjur me shpejtësi kur gratë lidere përballen me kërcënime dhe akte ndëshkimore – Krijimi i Dritares së Financimit për Gratë Aktiviste të të Drejtave të Njeriut më herët sot është një zhvillim pozitiv dhe Shqipëria do të japë kontributin e saj për fondin.
Së treti të rrisim fondet për organizatat dhe lëvizjet për të drejtat e grave dhe për organizatat e lëvizjet e te drejtave të grave të udhëhequra nga gratë, në zonat delikate dhe të prekura nga konflikti.

Së katërti, të rrisim llogaridhëniën në lidhje me gratë, paqen dhe sigurinë duke pasur një qasje me tolerancë zero ndaj akteve hakmarrëse kundër grave aktiviste dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

Këshilli duhet të luajë një rol thelbësor në këtë drejtim. Një rol vendimtar. Nuk mund të ketë paqe pa gratë dhe do të ishte e pafalshme të përjashtohej gjysma e njerëzimit nga përpjekjet që synojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Faleminderit!

Lajmi në përditësim…

FOTO GALERI
2/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA