Kriza energjetike e theksuar në Kosovë detyroi institucionet të përcaktojnë më herët tarifat për shërbimet e energjisë elektrike.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar një rritje prej 9% për bizneset dhe konsumatorët shtëpiak që shpenzojnë deri në 600 kWh energji e rritje shumë më të lartë për konsumatorët që e kalojnë këtë bllok.
Sipas propozimit të ZRrE-së, faturat me konsum mesatar deri në 450 kWh do të rriten për 2.3 euro, ndërsa faturat për konsum deri në 600 kWh do të rriten për tri euro. Rritje më e madhe do të jetë për konsumatorët që e kalojnë bllokun e përcaktuar nga ZRrE-ja prej 600 kWh. Rrjedhimisht konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh do të paguajnë 27 euro më shumë, derisa personat që e kalojnë shpenzimin e energjisë mbi 1000 kWh do të paguajnë 50 euro më shumë.
Ky institucion njofton se një subvencion i Qeverisë së Kosovës do të pengojë rritjen e tarifave. Ekzekutivi u zotua të martën për ndarjen e 75 milionë eurove që sipas tyre të mos ketë rritje të tarifave për bizneset dhe për konsumatorët shtëpiak që nuk e kalojnë bllokun. Opozita këtë propozim të ZRrE-së e cilëson si të duhurin, por fajëson ekzekutivin për keqmenaxhim.
“Mosveprimet e Qeverisë së Kosovës rezultojnë në shtrenjtimin e energjisë elektrike për 42% për qytetarët e Kosovës. Mosveprimet e Qeverisë për të gjetur zgjidhje po dëmton bizneset dhe familjet kosovare”, u shpreh deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.
“Është e papranueshme sepse kjo e rritë shkallën e lartë të varfërisë vend, sepse e prekë buxhetin e çdo ekonomie familjare, sepse edhe ashtu kemi një rritje të madhe të të gjitha çmimeve”, shprehet deputeti Ferat Shala.
Propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë do të jetë në diskutim publik deri më 28 janar.
Top Channel