Vaksinat kundër Covid-19 të bazuara në teknologjinë mARN nuk shkaktojnë komplikime tek gratë shtatzëna.
Lajmi është konfirmuar nga Agjencia Evropiane e Barnave, EMA, pas një rishikimi të detajuar të disa studimeve.
Analiza e agjencisë u bazua në shumë studime ku përfshiheshin rreth 65 mijë gra shtatzëna në disa faza të ndryshme. Kjo analizë nuk zbuloi asnjë shenjë rreziku të ndonjë komplikacioni, aborti apo lindje të parakohshme që mund të shkaktohej nga vaksina.
Aktualisht, vaksinat kundër koronavirusit të bazuara tek teknologjia mRNA, të cilat përdoren brenda Bashkimit Evropian, janë ato të Pfizer/BioNTech dhe Moderna.
“Gratë shtatzëna mund të përdorin vaksinat kundër Covid-19 që janë prodhuar nga teknologjia mARN, pasi nuk rrezikojnë as foshnjën dhe as shëndetin e tyre”, tha EMA.
Studimi tregoi se vaksinat kundër Covid-19 ishin efektive në uljen e rrezikut për t’u shtruar në spital si tek gratë shtatzëna, po aq edhe tek ato jo shtatzëna.
Mësohet se disa vende të BE-së kanë miratuar tashmë përdorimin e vaksinave Covid-19 tek gratë shtatzëna dhe studimi i fundit i EMA-s në lidhje me vaksinat mARN, me shumë gjasa mund të nxisë fushatat e vaksinimit në shumë vende të tjera.
Top Channel