Basha uron presidenten e re të PE: Mezi pres të punojmë për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE

18/01/2022 18:18

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi të martën pasdite presidenten e re të Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Duke ju uruar më të mirën dhe çdo sukses në pozicionin tuaj të ri, mezi pres t’ju mbështes dhe të punojmë krah për krah për të përmbushur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.


Në votimin e zhvilluar në Asamblenë e Përgjithshme në Strasburg për shkak të përfundimit të mandatit të ish-presidentit David Sassoli, i cili ndërroi jetë javën e kaluar, Metsola u zgjodh për presidente në raundin e parë me 458 vota në parlamentin prej 705 vendesh.

Me zgjedhjen e Roberta Metsola-s, do të jetë hera e tretë që një grua do të ulet në postin e kreut të PE-së. Metsola në krye të parlamentit ku ajo më parë ka kryer detyrën e zv/presidentes u zgjodh në ditën e saj të lindjes.

Në një fjalim për deputetët pas zgjedhjes, Metsola tha se është krenare për përgjegjësinë që i është dhënë asaj.

Premtoj se do të punoj dhe do të bëj më të mundurën time për interesat e këtij Parlamenti dhe të gjithë qytetarëve të BE-së“, tha ajo.

Metsola është anëtare e Partisë Popullore Evropiane (EPP) që është grupi më i madh politik i parlamentit dhe ajo u zgjodh deputete për herë të parë në vitin 2013 nga Malta.

Nënë e 4 fëmijëve, 43-vjeçarja Metsola është në linjën e qendrës së djathtë dhe konservatore dhe para detyrës si deputete ajo kryente profesionin e avokates.

Ajo është specializuar veçanërisht në të drejtën evropiane. E vlerësuar për rolin e saj në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në politikë, Metsola kritikohet kryesisht për qëndrimin e saj kundër abortit.

Në gjysmën e dytë të mandatit parlamentar, Metsola do të ushtrojë detyrën e presidentes për 2.5 vite.

 

Top Channel