Të shtëna me armë zjarri janë shënuar mesditën e sotme tek nënkalimi i Liqenit të Thatë, në Tiranë.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se dyshohet që një person ende i paidentifikuar, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të një automjeti tip Benz, me drejtues shtetasin Lulëzim Masha, 63-vjeç.
Burimet thonë se pasi ka qëlluar me armë autori është larguar nga vendngjarja në këmbë, ndërsa 63-vjeçari ka shpëtuar mrekullisht nga të shtënat me armë.
Lulëzim Masha, administrator i shkollës ‘Willson’ udhëtonte i vetëm në automjet.
Ndërkaq, policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse të Tiranës me qëllim kapjen e autorit, ndërsa janë sekuestruar çdo provë e mundshme materiale.
“Më datë 18.01.2022, te nënkalimi te Liqeni i Thatë, nga një person ende i paidentifikuar, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me drejtues shtetasin L. M., 63 vjeç. Si pasojë e të shtënave, nuk ka persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Këto pamje të siguruara nga LSA janë nga vendi i ngjarjes, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një 63-vjeçari, ndërsa ky i fundit i shpëtoi për mrekulli plumbave.
Siç mund të shihet, policia ka larguar automjetin nga vendngjarja. Ndërkaq, kalimtarë të rastit thonë jashtë kamerave se autori ka qëlluar me silenciator në drejtim të objektivit të tij.
Top Channel