Rama përcjell Presidentin Erdogan në aeroport, porosia e fundit që i dha pasi e përqafoi

17/01/2022 21:30

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u largua nga Tirana pas një dite të gjatë e me agjendë të ngjeshur në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama e përcolli Erdoganin deri në aeroportin “Nënë Tereza”. Pasi Presidenti turk u përshëndet me ministrat e kabinetit shqiptar, Rama ishte i fundit që e takoi, duke e përqafuar. Madje, nuk harroi porosinë për Erdogan që ai të përshëndeste nga ana e kryeministrit shqiptar, gruan dhe familjen.

Të fala zonjës dhe familjes”, i tha Rama, dhe më pas Erdogan u largua, pas vizitës gati 11 orëshe.

Erdogan inauguroi sot 522 apartamentet e reja në Laç, që u ndërtuan me fondet e dhëna nga qeveria turke dhe u vunë në dispozicion të familjeve të dëmtuara nga tërmeti.

Më pas, në ambientet e kryeministrisë, ministrat turk dhe ata shqiptarë nënshkruan shtatë marrëveshje,që përfshijnë Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e rinisë dhe sporteve ndërmjet dy ministrive të dy vendeve, Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet agjencisë Anadolu dhe agjencisë telegrafike shqiptar, memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve për zbatimin e ligjit ndërmjet qeverisë së Turqisë dhe Shqipërisë, memorandum mirëkuptimi në fushën e menaxhimit të fatkeqësive ndërmjet drejtorisë se emergjencave dhe ministrisë së brendshme të Turqisë, memorandum mirëkuptimi ndërmjet ministrisë së jashtme të Turqisë dhe ministrisë se jashtme të Shqipërisë për bashkëpunimin ne fushën e protokollit dhe protokoll bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë se Përgjithshme Shtetërore të Operës dhe Baletit dhe ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë dhe Ansamblit të Operës dhe Baletit te folklorit shqiptar.

Në fund, Erdogan mori pjesë në ceremoninë e restaurimit të xhamisë Et’hem Beu në Tiranë bashkë me kryeministrin Edi Rama.

Top Channel