Rama në konferencë me Erdogan: Parku i parë teknologjik në vendin tonë po merr jetë falë mbështetjes së presidentit turk

17/01/2022 17:07

Kryeministri Edi Rama në një konferencë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan përmendi disa prej projekteve në vendin tonë të realizuara falë ndihmës së qeverisë turke duke e falënderuar disa herë.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se shërbimi shëndetësor shqiptar duhet të jetë në nivelin e atij turk, duke theksuar se asgjë s’është e pamundur me mbështetjen e presidentit turk.

“Ditë e rëndësishme dhe e bukur për ne. Ata tashmë kanë kushte më të mira se sa para se tërmeti t’i linte pa shtëpi. Dua ta falënderoj presidentin që u gjend pranë nesh qysh në sekondën e parë pas goditjes së tërmetit me një angazhim shumë konkret, e mbajti fjalën, por kjo nuk është lajm kur bëhet fjalë për presidentin Erdogan, sepse ai diçka kur e thonë e bën. Mbase ndokush mund të mendojë se po e teproj me falënderime, por siç thotë profeti Muhamed, ‘kush nuk i falënderon njerëzit nuk e ka falënderuar Zotin’ dhe për këtë vepër falënderimet nuk janë kurrë të mjaftueshme. Në takimin e Ankarasë unë nuk e vura bastin me presidentin për Spitalin e Fierit se do e humbja. Me sa jam në dijeni presidenti nuk vë baste, por e ndjek futbollin pa baste. Ambicia jonë është që shërbimi shëndetësor të marrë përmasa sa shërbimi shëndetësor turk. Sot askujt nuk i duket e pamundur për sa kohë në këtë përpjekje kemi mbështetjen e Erdogan dhe autoriteteve të qeverisë turke”, tha Rama.

Një nga projektet që po merr jetë me mbështetjen e qeverisë turke është parku i parë teknologjik në vendin tonë.

“Lajmi i mirë është se ashtu sikundër u diskutua është realitet futja e gjuhës shqipe si gjuhë me përzgjedhje në arsimin turk. Monitorimi i rrugëve të Shqipërisë me kamera inteligjente falë asistencës së qeverisë turke. Po merr formë projekti i parkut të parë teknologjik falë mbështetjes së presidentit. Po punojmë të rrisim kapacitete e inteligjencës në fushën e të ardhurave tatimore dhe doganore për të rritur volumin tregtar”, tha kryeministri.

Rama preku edhe sektorin e turizmit, me të cilin duhet të punohet shumë sipas liderit të qeverisë shqiptare. Ai tha se niveli i vizitorëve turq në Shqipëri nuk është në përputhje me dashurinë mes dy popujve,por ky trend do të ndryshohet.

“Nuk jemi xhelozë për fqinjët por se si na vjen që janë miliona turistë turq shkojnë në vende të tjera. Niveli i vizitorëve turq në Shqipëri nuk është në përputhje me dashurinë mes këtyre dy popujve, do të nisim ta ndryshojmë këtë trend”, tha Rama.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndodhet këtë të hënë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e para e tij për 2022-shin. Ai mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së 522 banesave çelësave në Kurbin, të rindërtuara nga financimi i qeverisë turke, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që tronditi vendin.

Gjatë këtij takimi gjithashtu u nënshkruan edhe shtatë marrëveshje mes qeverisë turke dhe asaj shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA