Rama “ankohet” se turqit nuk vijnë për pushime në Shqipëri/ Erdogan: Do krijojmë paketa turistike

17/01/2022 17:27

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në ambientet e kryeministrisë, vuri në dukje se Shqipëria numëron shifra shumë të ulëta të turistëve turq, në një kohë kur ata pushojnë në vendet e tjera të Ballkanit.

Erdogan u shpreh, se dy qeveritë duhet të bashkëpunojnë në këtë fushë, për të parë çfarë mund të bëhet me mirë, në promovimin e Shqipërisë në Turqi dhe anasjelltas.

Kemi këtu ministrat e turizmit dhe kulturës, që në Turqi janë dy ministri të ndara. Duke bashkëpunuar së bashku, ata mund të takohen, për të parë çfarë mund të bëjmë përsa i përket paketave turistike”, tha Presidenti turk.

Në fjalën e tij, Erdogan bëri një përmbledhje të diskutimeve që ka pasur gjatë ditës me Ramën.

Me mikun tim të vyer Edi Rama, sot i pamë me detaje marrëdhëniet tona në nivel strategjik. Shpresoj të mbajmë mbledhjen e këshillit në gjysmën e parë të këtij viti. Sot do të përurojmë dhe xhaminë, do të vazhdojmë përpjekjet tona për të ndihmuar”.

Ai shprehu keqardhjen për faktin që mbështetës që lëvizjes “Feto” strehohen në Shqipëri.

Në takimet tona, ne vlerësuam luftën kundër organizatën terroriste, që tentoi të bënte një grusht shteti dhe që dështoi. Fakti që Feto gjen mbështetje në Shqipëri na lëndon thellë”, tha lideri turk.

Diskutuam dhe për marrëdhëniet tona ekonomike. Jemi të vendosur t’i thellojmë marrëdhëniet tona në çdo fushë”, theksoi ai.

Edhe një herë tjetër, Erdogan uroi qëndrim të gjatë qytetarëve, që do të jetojnë në shtëpitë e reja në Laç, të ndërtuar me fondet e Turqisë: “Popullit që do të banojë në shtëpitë e reja, i uroj një jetë të gjatë dhe të shëndetshme”.

Në tërësi, do të jenë 524 apartamente të reja, në dispozicion të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Njësi shërbimi do të jenë 37 ndërsa është menduar edhe për vendparkimet nëntokësore me 375 të tillë. E gjithë zona do të gëzojë një infrastrukturë bashkëkohore me një shkollë, qendër tregtare dhe standarde urbane të cilësisë së parë.

Top Channel