PD ka njoftuar zyrtarisht Kuvendin e Shqipërisë për përbërjen e re të grupit parlamentar pas shkarkimeve të katër deputetëve demokrat.

Në shkresë bëhet me dije se deputetët Albana Vokshi, Flamur Noka, Luan Baci dhe Edmond Spaho, me vendim të grupit parlamentar, pas masave disiplinore të marra nga Kryesia e Partisë Demokratike, nuk janë më pjesë e këtij grupi. Kujtojmë se të katërt deputetët e PD kanë qenë në mbështetje të Sali Berishës për shkarkimin e Lulzim Bashës.

Ndër të tjera sqarohet se në mbledhjen e zhvilluar të shtunën, Enkelejd Alibeaj është zgjedhur si kryetar i grupit parlamentar, post që më parë e mbante Alfred Rushaj. Ndërsa Agron Gjekmarkaj është propozuar si nënkryetar i Kuvendit duke zëvendësuar Alibeajn.

Gjithashtu janë propozuar disa ndryshime në Komisionet e Përhershme parlamentare që janë:

-Grida Duma si kryetare Komisioni në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

-Flutura Açka si kryetare për Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

-Dhurata Cupi si zv.kryetare e Komisionit për Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

PD njofton Kuvendin se në përbërjen e Byrosë së Kuvendit janë miratuar këto ndryshime:

-Sekretariati për Buxhetin. Propozohet si sekretar Xhelal Mziu duke liruar nga detyra Belind Këlliçin.

-Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Propozohet si anëtar Bledion Nallbati duke liruar nga detyra Flutura Açkën.

-Sekretariati për Statusin e Deputetit. Propozohet si sekretar Dashnor Sula duke liruar nga kjo detyrë Grida Dumën.

-Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet. Propozohet si anëtare Lindita Metaliaj duke liruar nga kjo detyrë Dhurata Cupin.

Ndërsa në përbërjen e Këshillave të përhershëm bëhen këto ndryshime:

-Në këshillin e Legjislacionit propozohet si anëtar i përhershëm Dhurata Cupi duke liruar nga detyra Oerd Bylykbashin, i cili propozohet si anëtar zëvendësues.

-Në këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, propozohet si anëtar i përhershëm Ervin Salianji duke liruar nga kjo detyrë Oerd Bylykbashin.

PD njofton se kanë propozuar edhe ndryshime në përbërjen e delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel