PD mbledh grupin parlamentar para fillimit të seancës së parë plenare të këtij viti

17/01/2022 14:43

Partia Demokratike do të mbledhë këtë të hënë grupin e saj parlamentar pak para fillimit të sesionit të dytë të legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Shqipërisë.

PD, njoftoi zyrtarisht sot Kuvendin edhe për përbërjen e re të grupit parlamentar, pas shkarkimeve të katër deputetëve demokrat.

Në shkresë bëhet me dije se deputetët Albana Vokshi, Flamur Noka, Luan Baci dhe Edmond Spaho, me vendim të grupit parlamentar, pas masave disiplinore të marra nga Kryesia e Partisë Demokratike, nuk janë më pjesë e këtij grupi.

Kujtojmë se të katërt deputetët e PD kanë qenë në mbështetje të Sali Berishës për shkarkimin e Lulzim Bashës, si kryetar i kësaj partie.

Ndër të tjera sqarohet se në mbledhjen e zhvilluar të shtunën, Enkelejd Alibeaj është zgjedhur si kryetar i grupit parlamentar, post që më parë e mbante Alfred Rushaj. Ndërsa Agron Gjekmarkaj është propozuar si nënkryetar i Kuvendit duke zëvendësuar Alibeajn.

Gjithashtu janë propozuar disa ndryshime në Komisione, Këshilla, Byronë e Kuvendit dhe në përbërjen e delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare.

Seanca e parë parlamentare për vitin 2022 do të fillojë në orën 17:00 dhe i pranishëm do të jetë edhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan. Në fund të vizitës së tij njëditore në Shqipëri, Erdogan do mbajë një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është vizita e tij e parë për këtë vit jashtë shtetit.

 

Top Channel