KQZ i përgjigjet presidentit/ Tregon se në cilat bashki përfundoi para kohe mandati i kryebashkiakëve

17/01/2022 15:14

Pas letrës së Presidentit Ilir Meta drejtuar KQZ-së ku kërkonte informacion për bashkitë që janë pa kryetar, kreu i institucionit Ilirian Celibashi nuk ka vonuar e në kthimin e përgjigjes përmes një letre zyrtare.

Në letrën drejtuar kreut të Shtetit, KQZ bën me dije se kjo e fundit është njoftuar vetëm për dy raste në rrugë zyrtare për vakanca, konkretisht për Bashkinë e Dibrës dhe atë të Vorës.

Ndërsa për bashkitë e tjera që kanë mbetur pa kryetar thuhet në dokument, Komisioni Shtetëror Zgjedhjeve nuk është vënë në dijeni dhe procesi ka kaluar jo nga KQZ, por nga Këshilli i Ministrave që është njoftuar për rastet nga këshillat bashkiakë.

Në kushte të tilla, Presidenti duket se duhet t’i drejtohet tashmë Kryeministrit për informacione lidhur me bashkitë e tjera që nuk kanë aktualisht një kryetar.

Bëhet fjalë për bashkinë e Shkodrës, ku ish-kryetari i saj Valdrin Pjetri dha dorëheqjen nga posti, teksa pa kryetar është aktualisht edhe bashkia e Durrësit pas dorëheqjes së Valbona Sako, shkak I së cilës u bë një deklaratë e saj pas tërmetit të nëntorit. Pa drejtues vijon të mbetet edhe Bashkia e Lushnjës, pas shkarkimit nga kryeministri e Fatos Tushes që u arrestua për abuzime e shkelje në tendera, teksa bosh qëndron edhe posti I kryetarit në bashkinë Rrogozhinë, ku ish-kryebashkiaku Haxhi Molla humbi jetën për shkak të një ataku kardiak.

Presidenti lajmëroi pak ditë më parë se do merrte hapa për ti dhënë zgjidhje kësaj situate

Top Channel