Komisioni i Rithemelimit i dërgon letër Nikollës: Mos merr në konsideratë kërkesa që cenojnë veprimtarinë parlamentare

17/01/2022 18:24

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të hënën ka reaguar për përjashtimin e katër deputetëve nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, të cilët janë rreshtuar në krah të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke kërkuar largimin e kryetarit Lulzim Basha nga drejtimi i partisë.

Në një letër të dërguar për kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, znj.Lindita Nikolla, Komisioni i Rithemelimit të PD-së i kërkon asaj të mos marrë në konsideratë kërkesa të paligjshme që kërcënojnë të drejtat e përfaqësimit dhe veprimtarinë parlamentare të deputetëve të zgjedhur të Partisë Demokratike dhe të qëndrojë jashtë konfliktit të brendshëm të një partie politike.

Sipas letrës së këtij Komisioni, theksohet se rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë përcakton në nenin 15 të saj se grupet parlamentare formohen nga deputetët sipas përkatësisë partiake ose sipas orientimit politik. Kjo dispozitë, sipas Komisionit, përcakton qartë se grupet parlamentare formohen mbi bazën e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të deklaruara nga KQZ.

Pra, letra, thekson se një deputet mund të vendosë që të deklarojë largimin me vullnetin e tij të lirë nga një grup i formuar sipas përkatësisë partiake, por që s’ka asnjë dispozitë në rregullore që autorizon një grup parlamentar të përjashtojë, pezullojë apo të kufizojë ose cenojë të drejtat e përfaqësimit dhe veprimtarisë parlamentare të një deputeti të grupit përkatës, në kuadër të atij grupi apo më gjerë në parlament.

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, menjëherë pas nisjes së seancës së parë plenare për vitin 2022, reagoi me tone të larta duke hedhur akuza mbi kryetarin e kësaj force politike, Lulzim Basha, lidhur me vendimin e këtij të fundit për përjashtim nga grupi parlamentar.

Sipas tij, Basha ka bërë gjithçka vetëm që të ruajë karrigen e tij.

Nuk kanë të ardhme demokratët me këtë, me një njeri që ka humbur katër palë zgjedhje dhe shitet si e ardhmja e demokratëve. Do t’i vijë dita, mos kujtojë se e ka të largët. Qytetarët do t’i japin atë që meriton këtij njeriu”.

Ndërsa, deputeti demokrat Tritan Shehu, i cili gjithashtu është një prej të përjashtuarve nga Lulzim Basha, ka dalë kundër vendimit të grupit parlamentar të PD-së, duke i kërkuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, që të shqyrtojnë dokumentet, pasi ato që i janë dërguar janë “nul”.

Mos u ktheni në mbështetëse të ndryshimeve antikushtetues, antiligjore, që grupet parlamentare i quan pjesë e saj. Unë ju këshilloj që të verifikoni, të thërrisni, të shikoni dokumentet dhe pastaj t’i paraqisni Kuvendit gjëra që janë deformime të realitetit dhe të qëllimshme”.

Gjithashtu, edhe deputetët Oerd Bylykbashi dhe Flamur Noka kanë kundërshtuar vendimin për përjashtimin apo pezullimin e tyre nga grupi parlamentar i PD-së. Sipas Bylykbashit, deputeti largohet me dëshirën e tij nga grupi.

Rregullorja dhe Kushtetuta nuk parashikon asnjë lloj kufizimi në lidhje me këtë. Nuk mund të bëhet kjo, përndryshe vendoset precedent i rrezikshëm”, tha ai.

Lulzim Basha, në mbledhjen e Kryesisë gjatë mbrëmjes së 10 janarit, vendosi të përjashtojë nga Partia Demokratike ish-kryetarin dhe bashkëthemeluesin e saj, Sali Berisha, së bashku me shtatë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.

Shtatë anëtarët e tjerë të përjashtuar, janë Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Një seri emrash gjithashtu janë pezulluar përkohësisht nga organet e demokratëve.

Ndër këta të fundit, bëjnë pjesë emra të rëndësishëm, si: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Edith Harxhi, Edi Paloka, Tritan Shehu dhe Oerd Bylykbashi.

Kjo lëvizje drastike e Bashës dhe kryesisë së demokratëve vjen pas protestës së thirrur nga Berisha dhe mbështetësit e tij më 8 janar në selinë blu.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel