Kryetari i ri i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkeled Alibeaj ka parashtruar në pika të përgjithshme këtë të hënë atë çka demokratët e konsiderojnë si më të rëndësishme për t’u realizuar në këtë sesion të dytë të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Alibeaj theksoi se në këtë sallë asgjë nuk ka ndryshuar që nga 25 prilli, pasi sipas tij, ky parlament nuk përfaqëson zërin e shqiptarëve, apo siç e konsideroi ai, lëngatën e shqiptarëve.
“Ky është një parlament i vjedhur, i grabitur”, tha kreu i grupit të PD-së.
Sipas tij, sfida e sotme e Partisë Demokratike është për ta kthyer këtë sallë në vendin ku flitet me zërin e shqiptarëve. Ai tha se këta të fundit sot janë të vjedhur dhe komplet të pashpresë.
“Është detyrimi im për të sjellë këtu zërin e shqiptarëve. Beteja e të gjithë shqiptarëve është për të pasur betejë me një njeri, kreu e regjimit, Edi Ramën. Kurrë nuk do ta mendoja që do të ishte një betejë nga zonja Nikolla. Ju jeni në atë vend por nuk kërkojmë ndihmë nga ju. Ne i kemi ca probleme. Ne e kemi maturinë, qetësinë, kemi pjekurinë politike edhe për vështirësinë që po kalojmë që ti zgjidhim në familjen tonë. Njerëzit të cilët kanë aftësinë politike për të hequr nga qafa e tyre gurin e rëndë, për të folur me shqiptarët, këtu në parlamentin që kjo mazhoranca ua vodhi“, tha ai.
Alibeaj u ndal edhe në rezultatin e 25 prillit, të cilin e konsideroi si një masakër zgjedhore, duke theksuar se kjo nuk është vetëm një faturë që iu vendos me të padrejtë demokratëve, por është një faturë që po e paguajnë të gjithë shqiptarët.
“Ky vend nuk bën zgjedhje të lira dhe është detyrimi ynë për të bërë gjithçka, si jashtë dhe brenda këtij parlamenti, për të kthyer votën e lirë shqiptarëve”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD.
Megjithatë, Alibeaj e konsideroi si kryeçështje, vetingun në politikë. Sipas tij, kjo është e vetmja rrugë për të kthyer legjitimitetin në këtë parlament. Ai tha se vetingu në politikë është kryereforma si për të majtët dhe të djathtët, duke shtuar se kjo është një sfidë e madhe morale, përmes të cilës duhet të kalojnë të gjithë.
“Kjo është sfida. Për të hyrë në këtë Kuvend duhet të tregohesh se je imun ndaj krimit dhe korrupsionit. Mund të hysh i pastër këtu, por edhe duhet të dalësh i tillë. Kaq ulëritëse është kërkesa e shqiptarëve sot. Janë këta që do të vendosin për fatet e tyre. Kjo është sfida e parë dhe e të gjithëve ne. E kemi pranuar, me çdo lloj kosto, ju e pranoni? Këtë duhet të shohin shqiptarët në këtë sezon. Problemet tona i zgjedhim vetë. Nuk kërkojmë bashkëpunim dhe as ndihmë”, tha ai.
Top Channel