Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pas votoi në referendumin e organizuar nga Serbia për ndryshimet kushtetuese në fushën e drejtësisë, pati edhe një koment për Kosovën, ku Kuvendi miratoi një rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi brenda vendit.

Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiç tha se serbët nga Kosova “treguan se vota e tyre paraqet votë për Serbinë” dhe jo për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se vendimi i Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtij referendumi “do të ketë pasoja të mëdha”.

Vuçiçi s’është ndarë i kënaqur as me vendet e QUINT-it dhe vendosmërinë e tyre për ta bindur Qeverinë e Kosovës që ta lejojë mbajtjen e këtij referendumi.

Ai pati qasje kritike ndaj SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

“Nga to nuk mund të dëgjohen kritika apo sanksione ndaj Prishtinës për ndalimin e votimit në referendum”, tha Vuçiç.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën e kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për referendumin e Serbisë.

Me 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri Albin Kurti.

Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA