Veliaj mbjell pemë te Liqeni: Një hapësirë e re, e zaptuar prej kohësh, i shtohet Parkut të Liqenit

16/01/2022 14:19

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha këtë të dielë se hapësira e zaptuar prej kohësh pranë Gardës së Republikës, do i shtohet Parkut të Liqenit, duke mbjellë aty pemë të reja.

“Në Parkun e Liqenit Kombëtar është liruar një tjetër hapësirë e zaptuar totalisht në hyrje të Gardës, një parcelë me gjyqe, e tejkaluar në çdo kontratë, në çdo logjikë të përdorimit të pronës publike, e degraduar. Nuk po i hyj se çfarë ndodhi në 31 vite.

Sot disa qendra metra katrorë i shtohen liqenit te hyrja e Gardës, që do funksionojë si parking, por i menaxhuar nga qyteti i Tiranës, nga bashkia dhe Tirana Parking, dhe pastaj do të kthehet në një parking nëntokësor, ku njerëzit do të kenë mundësi që në 2-3 kate parking të lënë makinën e tyre dhe pastaj të shijojnë liqenin, sigurisht në këmbë, si një hapësirë dhe një mushkëri e jashtëzakonshme e qytetit”, u shpreh Veliaj.

Veliaj tha se transformimi i Parkut të Liqenit është produkt i asaj që mund të bëjnë njerëzit kur bashkëpunojnë për gjëra të mrekullueshme.

Top Channel